Lidhje

Paris, vriten tre pengmarrësit


Autoritetet franceze thanë se dy të dyshuarit për sulmin e kësaj jave në gazetën Charlie Hebdo janë vrarë dhe pengjet e tyre janë liruar gjatë një sulmi policor në veri të Parisit. Në një mësymje tjetër në kryeqytet policia vrau një person të armatosur që mbante disa pengje në një supermarket, por policia tha se tre pengje u vranë gjatë operacionit.

Shpërthime dhe të shtëna u dëgjuan në Paris dhe qytezën Dammartin-en-Goele në veri ndërsa policia ndërhyri sot pasdite gati në të njëjtën kohë. Vëllezërit Cherif and Said Kouachi, të dyshuarit kryesorë për sulmin e përgjakshëm në gazetën satirike në Paris, dolën nga depoja ku fshiheshin dhe filluan të qëllonin ndërsa policia lëvizi për të ndërhyrë. Ata u qëlluan për vdekje nga zjarri i forcave të mëdha të policisë në vendngjarje.

Në Paris, forcat e sigurisë ndërhynë në një supermarket pranë Porte de Vincennes, në një lagje të njohur hebraike të Parisit. Ata vranë personin e armatosur i cili kishte hyrë në supermarket disa orë më parë dhe ndihmuan klientët dhe personelin e mbajtur peng. Autoritetet thane se kishte të paktën pesë pengje dhe se tre pre tyre ishin vrarë por nuk është e qartë se kush i vrau ata dhe kur.

Duke folur në një fjalim drejtuar vendit sot në mbrëmje, presidenti francez Francois Hollande falenderoi personelin e sigurisë i cili ndihmoi në dhënien fund të krizës dhe neutralizimin e terroristëve. Ai u bëri thirrje popullit francez të tregojnë vigjilencë dhe bashkim, që ai i cilësoi si armën më të mire të vendit për të luftuar kundër terrorizmit, racizmit dhe anti-semitizmit.

Duke folur nga shteti i Tenesisë këtu në Shtetet e Bashkuara, presidenti amerikan Barack Obama tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Francën dhe përshëndesin forcat franceze të rendit që i dhanë fund krizës. Ai tha se forcat amerikane të rendit do të japin çfarëdo mbështetjeje që Franca ka nevojë. Zoti Obama tha se sulmi tregon se terroristët nuk kanë asgjë për t’i ofruar botës ndërsa Parisi përfaqëson lirinë, shpresën dhe dinjitetin njerëzor.

Duke folur me gazetarët të premten në mbrëmje, ministri i brendshëm francez Bernard Cazeneuve falenderoi policinë për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund krizës dhe premtoi se Franca do të mbetet e mobilizuar për të siguruar të gjithë qytetarët e saj. Ai nuk dha hollësi specifike rreth sulmit të policisë.

Një zyrtar i policisë tha se personi i armatosur në sulmin e supermarketit, 32 vjeçari Amedy Coulabaly, besohet të ketë qënë i njëjti person i cili qëlloi për vdekje një police dje në jug të Parisit.

Autoritetet po kërkojnë gjithashtu një grua që besojnë të jetë bashkëpunëtore e Coulabaly-t, Hayet Boumeddiene. Njoftimet e para nga vendngjarja thanë se ajo mund të ketë shpëtuar nga konfuzioni ndërkohë që klientë të tjerë u larguan nga dyqani.

XS
SM
MD
LG