Lidhje

Paris, Rama me krerët fetarë shqiptarë


Kryeministri merr pjesë në marshimin e solidaritetit në kryeqytetin francez. “Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, e të drejtave, dhe barazisë”, tha kryeministri Rama.

Në marshimin e sotëm të solidaritetit në Paris mori pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Ai shoqërohej dhe nga përfaqësuesit e të katër besimeve fetare në Shqipëri. Zoti Rama bëri homazhe pranë selisë së të përjavshmes Charlie Hebdo e cila u bë objektiv i një sulmi terrorist pak ditë më parë

“Të gjithë duhet të kuptojnë që aktet mund të ndodhin këtu, mund të ndodhin kudo, por lufta kundër terrorizmit zhvillohet sot, në të gjithë vendet tona edhe kur aktet ndodhin jashtë vendeve tona. Ne jemi këtu për të dëshmuar se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, flamurin e të drejtave, flamurin e barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve dhe të mos bjerë në kurthin e urrejtjes, në kurthin e përçarjes, në kurthin e frikës, ku kjo mortje kërkon ta përfshijë botën tone”, u shpreh zoti Rama.

Kryeministri shqiptar nenvizoi se "përpjekja e armiqve të lirisë është një përpjekje që kërkon përcarjen mes feve". Ndërkohë që, sic nënvizoi ai, "terroristët nuk kanë asnjë lidhje me fenë, nuk kanë asnjë lidhje me profetin apo me zotin se nuk ka zot, nuk ka profet nuk ka fe që inkurajon vrasjen e njerëzve, përcarjen e shfarosjen e një pjese në emër të nje pjesë tjetër", deklaroi zoti Rama. Ai tha se asnjë vend nuk mund të ndjehet me imunitet ndaj terrorizmit. “Në momentin që është goditur një nga vendet e familjes europiane dhe botës demokratike ku Shqipëria bën pjesë, është goditur dhe ajo sepse goditen ato themele dhe ato vlera mbi të cilat Shqipëria ka vendosur të ndërtojë jetën dhe të ardhmen e vet", deklaroi kryeministri shqiptar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG