Lidhje

Identifikohet terroristi i tetë


Salah, Abdeslam
Salah, Abdeslam

Policia franceze ka botuar foton e njërit prej të dyshuarve të larguar pas sulmeve të së premtes në Paris që shkaktuan të paktën 132 viktima. I dyshuari është identifikuar të jetë Abdeslam Salah, një 26-vjeçar i lindur në Bruksel. Në njoftim bëhet thirrje për çdo lloj informacioni për të dyshuarin e tetë, i cili është larguar dhe konsiderohet i rrezikshëm. Ai mendohet se është një ndër tre vëllezër të përfshirë në sulmet terroriste në Paris. Vëllai i tij, Ibrahim Salah, hodhi veten në erë në sallën e koncerteve Bataclan, ndërsa vëllai i tretë njoftohet të jetë arrestuar nga autoritetet belge.

Prokurori i Parisit njoftoi gjithashtu se janë identifikuar dy të tjerë, nga shtatë sulmuesit e vrarë. Ata janë shtetas francezë që jetonin në Belgjikë. Sot, policia franceze mori në pyetje të afërm të Omar Ismail Mostefait, i cili ishte terroristi i parë që u identifikua.

Ndër gjashtë personat e marrë në pyetje ishin edhe babai, vëllai dhe kunata e tij. Franca është në një periudhë zie tre-ditore, të shpallur pas masakrës që tronditi mbarë botën. Mostefai ishte një ndër shtatë sulmuesit, të cilët kishin veshuar jelekë vetëvrasës të mbushur me eksploziv. Të shtatë u vranë gjatë sulmeve; gjashtë prej tyre hodhën veten në erë, ndërsa i shtati u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Të paktën tre prej tyre ishin shtetas francezë. Prokurori francez Francois Molins tha se Mostefai njihej prej policisë si kriminel ordiner, por “nuk ishte përfshirë më parë në hetime të ndonjë organizate terroriste”. 29-vjeçari Mostefai jetonte në Chavres, pranë Parisit.

Panik në Memorialin e Parisit

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Daniel Schearf, njofton nga Parisi se një turmë e mbledhur Sheshin e Republikës përjetoi momente paniku të dielën në mbrëmje dhe njerëzit u shpërndanë duke vrapuar. Turma e përbërë prej rreth 2 mijë personash ishin duke bërë homazhe, ndërsa një grup më i vogël këndonte në mënyrë sfiduese. Një klithmë u dëgjua në mesin e turmës, duke u pasuar nga të tjera, dhe sheshi i zbraz në pak sekonda. Sheshi i Republikës është shndërruar në një vend homazhesh, ku njerëzit vijnë për të ndezur qirinj dhe për të gjetur ngushëllim.

Gjenden armë

Policia njoftoi të dielën se tre armë kallashnikovë u gjetën në një makinë të tipit Seat Leon, e cila është përdorur nga sulmuesit që shtinë mbi njerëzit e gjendur në bare dhe restorante. Makina e prodhimit spanjoll u zbulua e parkuar në një rrugë të lagjes periferike Montreuil, kur policia po kërkonte për një person të tetë që mund të ketë ngarë mjetin.

Një makinë e dytë, e tipit Volkswagen Polo, e cila mendohet se është përdorur për sulmin, u gjet pranë sallës së koncerteve Bataclan, ku humbën jetën 89 persona. Autoritetet franceze thonë se pranë trupit të njërit prej sulmuesve u gjet një pasaportë siriane. Greqia informoi se ai pati hyri në Evropë si pjesë e fluksit të emigrantëve që largohen prej luftës civile në Siri. Ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Nikos Toskas, u shpreh se “konfirmojmë që mbajtësi i pasaportës siriane ka hyrë nëpërmjet ishullit grek Leros, më datën 3 tetor, ku edhe u regjistrua në përputhje me rregullat e BE-së.” Autoritetet e Serbisë dhe Kroacisë konfirmuan se personi ka kaluar në ditët pasuese nëpërmjet pikave të tyre kufitare. Një zyrtar belg njoftoi se janë ndaluar shtatë persona të lidhur me sulmet në Paris dhe se dy nga shtatë autorët e sulmeve ishin shtetas francezë me banim në Belgjikë. Njëri prej tyre jetonte në një lagje të quajtur Molenbeek, e cila njihet si enklavë e ekstremizmit fetar dhe pikë kyçe për luftëtarët që shkojnë drejt Sirisë.

XS
SM
MD
LG