Lidhje

Debat në parlament për shitjen e Hec të Lanabregasit


Hidrocentrali i kalon ujësjellësit të Tiranës për 15 milion euro. Opozita: manovër për të mbushur arkën e shtetit. Berisha: Eshtë në interes të qytetarëve

Në Shqipëri shumica dhe opozita u përplasën sot në parlament mbi marrëveshjen për shitjen e hidrocentralit të Lanabregasit në kryeqytet ndërmarrjes së ujësjellit të Tiranës. Sipas opozitës e gjithë kjo është një manovër e qeverisë për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit, thanë ata. Por qeveria deklaroi nga ana e saj se ky akt është në interes të qytetarëve dhe mbajtjes së ulët të cmimit të ujit. Hidrocentrali I Lanabregasit do të blihet nga Ujësjellësi për 15 milion euro.

Marrëveshja e para disa kohëve mes ministrisë së Ekonomisë dhe Ujësjellësit të Tiranës për shitjen prej 15 milion eurosh të hidrocentralit të Lanabregasit, më një fuqi të instaluar prej 5 megaëat u bë shkas për debate në parlament. Ujësjellësi do të shfrytëzojë prodhimin e hidrocentralit për të furnizuar sistemet e veta të pompimit dhe të infrastrukturës me synimin sic është deklaruar, për të ulur koston e ujit për banorët e kryeqytetit.



Këtë arsyetim përdori, për t’ju kundërvënë kritikave të opozitës, edhe kryeministri Sali Berisha: “E kemi transferuar për interesa të qyetarëve të Tiranës sepse nuk duam që cmimet të shkojnë në stratosferë. Nuk po shesim asgjë por po marrim masa që rritja e cmimit të energjisë të mos ndikojë në rritjen e cmimit të ujit”.

Por opozita këmbënguli se e gjitha kjo është një manovër e qeverisë për të mbushur arkën bosh të shtetit dhe se sipas saj, nëse do të ishte interesi i qytetarëve qeveria nuk kishte pse ta shiste por thjesht t’i kalonte pronësinë duke qenë se ujësjelli mbetet një ndërmarrje publike e kontrolluar nga bashkitë dhe komunat e kryeqytetit: “Keni caktuar ekspertë, e vlerësuan 5 milion euro, u thatë shkoni rivlersojeni, dhe e rivlerësuan 8 milion, u thatë shkoni prapë dhe e rivlerësuan 13 milion euro. Të gjitha këto sipas dokumentave tuaja. Dhe sot ua shet qytetarëve të Tiranës me 15 milion euro. Na thoni se këtë e bëni për hatër të qytetarëve të Tiranës. Në 2005 e morët ujin me një cmim 200 lek për metër kub, sot, sipas faturës është 450 lek”, deklaroi kryetari i grupit socialist Gramoz Ruci.

Opozita e konsideroi shitjen e hidrocentralit të Lanabregasit edhe si një dëm ndaj korporatës energjitike së cilës thanë ata po i hiqen kështu burimet e të ardhurave. Muajin e ardhshëm qeveria ka njoftuar edhe zhvillimin e tenederit për shitjen e katër hidrocentraleve të tjerë të vegjël. NJë garë e zhvilluar muajin e shkuar dështoi për mungesë të ofertave për blerjen e tyre.

XS
SM
MD
LG