Lidhje

Parlamenti hapet me tensione


Votohet heqja e imunitetit për deputetin socialist Prenga. Opozita përsërit akuzat ndaj kryetarit të parlamentit Meta dhe ministrit të Brendshëm Tahiri. Jep dorëheqjen deputeti i përfolur për të kaluarën e tij Arben Ndoka

Ndonëse normalisht seanca e parë e hapjes së sesionit parlamentar hyn në procedurat rutinë, klima e ndezur politike që i parapriu asaj u transferua dhe brenda në sallë, ku seanca u ndërpre disa herë. Votimi për heqjen e imunitetit të deputetit socialist Armando Prenga nuk kishte asnjë suprizë pas vendimit të marrë që mbrëmë në Këshillin e Imuniteteve. Por ai shërbeu si shkas që opozita të ngrinte zërin për një seri cështjesh që kanë qenë në qendër të opinionit publik. Përvec akuzave drejtuar kryeministrit Rama si përgjegjës për inkriminimin e parlamentt, deputetët e djathtë përmendën dhe ato që lindën ndaj kryetarit të parlamentit Ilir Meta, pas një shkrimi të publikuar nga agjencia Birn, për dyshime për përfshirje të tij në një aferë korruptive.

Parlamenti hapet me tensione
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:16 0:00

“Një rregull ka, jep dorëheqjen, dhe hetoi. Ne nuk bëjmë prokurorin. Ne kërkojmë që të hetohesh pa imunitet dhe kjo ëhstë kërkesë civile në cdo vend të botës”, deklaroi ish kryeministri Sali Berisha.

Në përgjigjen e tij zoti Meta i mëshoi faktit se studioja ligjore në raportin e së cilës përmendeshin dyshimet për një ish kryeministër të akuzuar më parë për korrupsion, ishte kontraktuar nga qeveria e mëparshme, megjithatë ai hodhi poshtë në mënyrë kategorike akuzat: “E përjashtoj në mënyrë kategorike që një person i implikuar të jetë ish-Kryeministri, Ilir Meta, dhe këtë ua them me bindje të plotë. Njëkohësisht dua t’ju them se të gjithë e dinë se kush e ka emëruar ERE-n, kush e kontrollonte ERE-n dhe nëse ka dokumente të cilat provojnë se ministra të asaj kohe apo dhe më pas kanë kërkuar që të favorizohet CEZ-i në dëm të KESH-it. Ju siguroj se përsëri nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë Ilir Meta. Në rast se ju besoni vërtetë se ajo ka paraqitur fakte të cilat implikojnë ish-Kryeministrin Ilir Meta nuk ka asnjë arsye pse ju të mos i çoni në Prokurori dhe Prokuroria të nisë një proces shembullor për Ilir Metën për çdo ish-Kryeministër apo ish-ministër, kushdo qoftë ai apo politikan që ka qenë i përfshirë”.

Megjithatë asgjë nuk e pengon dhe vetë shumicën, duke qenë se bëhet fjalë për një dokument që ajo e disponon, që gjithashtu të kërkojë hetime për zbardhjen e të vërtetës.

Pas debateve në shtyp që solli një intervistë e ish shefit të antidrogës në Fier Dritan Zagani, publikimi I plotë i së cilës fillimisht u bllokua, opozita përmendi sërish akuzat e ish zyrtarit për lidhje të drejtuesve të policisë me trafikantët, apo dhe me vetë ministrin Tahiri.

“Ai ishte i detyruar të bashkëpunonte me partnerët dhe për këtë u ndalua dhe u arrestua dhe sot që ai denoncon hapur me fakte, minjtë e gjirizeve nuk dalin të japin përgjigje por akuzojnë opozitën”, deklaroi kryetari i grupit demokrat Edi Paloka.

Por zoti Tahiri, duke hedhur poshtë akuzat, foli për një intervistë që sipas tij ishte sponsorizuar nga opozita: “Ky zotëria që bërtetë së bashku me ish kryeministrin, me vendim të Qeverisë, atij Dritan Zaganit I kanë falur tokë dhe objekt në Orikum, në bregdet. Si ka mundësi? Keni blerë dëshminë, keni diktuar dëshminë, nga zyrat e partisë”, u shpreh zoti Tahiri.

E ndërsa parlamenti i mbylli punimet mes klimës së tensionit, një tjetër deputet socialist, Arben Ndoka, njoftoi dorëheqjen. Emri i tij është lakuar shpesh për të kaluarën problematike, madje ai u identifikua dhe si deputeti të cilit I referohej raporti i Departamentit amerikan të Shtetit si i dënuar më parë për trafiqe. Ndoka e njoftoi dorëheqjen përmes një letre të gjatë drejtuar grupit socialist ku ai shpjegon se akuzat e ngritura ndaj tij kanë qenë të pa baza duke u shprehur se do të kërkojë drejtësi për të pastruar emrin e tij.

XS
SM
MD
LG