Lidhje

Qeveria Rama, debati mbi programin


Seancë maratonë në parlamentin e Shqipërisë. Opozita: Premtime pa afate e pa shifra. Socialistët: Do i realizojmë të gjitha

Në Shqipëri parlamenti nisi sot një seancë maratonë ku po debatohet rreth programit të qeverisë së re të kryeministrit Edi Rama. Ndërsa përfaqësuesit e shumicës po këmbëngulin se janë të angazhuar për mbajtjen e premtimeve të bëra, opozita e djathtë e ka sulmuar atë se ka paraqitur një program elektoral, në të cilin nuk ka afate dhe nuk tregohet sipas tyre se si do të përmbushen objektivat që ajo ka shpallur. Seanca pritet të vazhdojë gjatë dhe debatet parashikohet se do të mund të përmbyllen para ditës së nesërme, për t’i hapur keshtu rrugë votbesimit të qeverisë.
Diskutimi në parlament i programit qeveritar
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Që prej më shumë se 7 orësh parlamenti po ofron një panoramë thuajse monotone të deputetëve të shumicës se re dhe opozitës që alternohen me njëri tjetrin në foltore e ku thelbi i diskutimeve nuk është shumë i ndryshëm. Linjën e saj opozita e përcaktoi që në fillim, kur para se të niste seanca mblodhi grupin e saj parlamentar. Drejtimi i parë i qëndrimit të saj kishte të bënte me faktin se sipas saj, programi i saj është një përshtatje e mashtrimeve elektorale që do t’I kushtojë vendit frenim, papunësi më të madhe, varfëri më të madhe dhe një krizë të përmasave të paparashikueshme, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha.

“Ky manifest dominohet në pjesë të tëra nga premtime dhe zotime të përgjithshme, pa afate, pa shifra, të formuluara si parulla, çfarë nuk është në natyrën e një programi electoral, e lëre më në natyrën e një programi qeverie. Kanë humbur afate dhe shifra edhe për premtime që u dhanë solemnisht në fushatë. Kanë humbur fare, pa nisur akoma qeverisja reale, një pjesë e premtimeve të bujshme. Kush mashtron, ka dështuar pa nisur. Kush mashtron duhet të përballet menjëherë dhe pa pushim me pasojat. Dhe përballja nis sot“.

Linja e dytë e qëndrimit të opozitës është ajo e vënies në dukje të arritjeve të qeverisë së tyre në 8 vitet e fundit

“Shumë shpejt qeveria e tij do të duhet të matet me bilancin e qeverisë sonë, me kilometrat që shtruam ne, me shkollat që hapëm ne, me ujësjellësit që ndërtuam ne, me rrogat dhe pensionet që rritëm ne. Në kohën e duhur njerëzit e thjeshtë do të bëjnë pashmangshmërisht krahasimin”.

Por për socialistët situata që ka lënë pas e djathta është sipas tyre sfida kryesore që duhet përballuar ndërsa akuzojnë për krijimin monopolesh, shkatërrim të biznesit dhe se ngriti një republikë të korruptuar, deklaroi deputeti socialist Erion Brace, sipas të cilit qeveria e re i ka kthyer në detyrim ligjor premtimet e saj të fushatës

"Ka zhgënjim të madh në pakicën e kësaj salle; ajo që ju thanë për dy muaj me rradhë nuk ndodhi. Ne nuk ju gënjyem! Ju thamë në fushatë se: do të heqim taksen vendore mbi biznesin e vogël dhe është detyrim ketu; Do të përgjysmojmë tatimin mbi të ardhurat nga biznesi i vogël dhë është detyrim këtu; Do të heqim akcizën dhe taksën e qarkullimit për mekanikën bujqësore në peshkimin dhe është detyrim këtu; Do të përjashtojmë imputët bujqësorë nga TVSH dhë është detyrim këtu; Do të përjashtojmë shëndetësinë dhe ilacet nga TVSH dhe është detyrim këtu; Shërbimi Kombëtar Shëndëtësor do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët dhe është detyrim këtu; Legalizimet e banësavë pa leje do të mbyllen brënda këtij mandati pa pagësë dhe është detyrim këtu. Cdo premtim, një më një është kthyer në detyrim këtu, në këtë program".

Seanca është zhvilluar e qetë. Kryeministri Edi Rama nuk ka ndërhyrë dhe vetëm disa prej ministrave të tij kishin marrë fjalën deri pasdite. Secili deputet ka të drejtë të flasë deri në 20 minuta. Janë mbi 80 deputetë të regjistruar për të diskutuar, gjë që afërsisht do të kërkonte 27 orë, nëse një pjesë e tyre nuk do të tërhiqen. Seanca detyrimisht do të zgjatet edhe gjatë ditës së nesërme kur pritet të bëhet edhe votbesimi i qeverisë.
XS
SM
MD
LG