Lidhje

KE: Parlamentarët kërkojnë hetime ndaj aludimeve për UÇK-në dhe udhëheqësit e saj

  • Zëri Amerikës

KE: Parlamentarët kërkojnë hetime ndaj aludimeve për UÇK-në dhe udhëheqësit e saj

KE: Parlamentarët kërkojnë hetime ndaj aludimeve për UÇK-në dhe udhëheqësit e saj

Komisioni për Çështjet Ligjore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka bërë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe rajonale mbi akuzat për zhdukje, trafikim organesh, korrupsion dhe marrëveshje të fshehta ndërmjet grupeve të krimit të organizuar dhe qarqeve politike në Kosovë. Projektrezoluta e hartuar në bazë të raportit të eurodeputetit Dick Marty u miratua sot unanimisht në Paris. Akuzat dolën në dritë këtë javë në raportin e të dërguarit special, Dick Marty.

Në bazë të projekrezolutës së miratuar unanimisht sot në Paris, të bazuar në raportin e zotit Marty, komisioni thekson se “kishte një numër të dhënash konkrete dhe konvergjente” siç shprehen ata, që konfirmonin se serbë dhe shqiptarë ishin burgosur në vende sekrete nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë. Këta të burgosur, thekson raporti, janë trajtuar në mënyrë ç’njerëzore dhe degraduese, para se zhdukeshin.

“Një numër njerëzish nuk dëshironin të flisnin. Kam parë në sytë e shumë njerëzve terrorin absolut kur flitej për këto çështje. Por shumë shpejt, ne zbuluam se përfundimisht këto gjëra diheshin nga një pjesë e mirë e agjencive të zbulimit në shumë vende, diheshin nga policia, dhe shumë njerëz.”

Komisioni thotë se “një numër të dhënash duket se konfirmojnë se menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur, organet ishin hequr nga disa të burgosur në një klinikë në territorin shqiptar në afërsi të Fushë-Krujës, me destinacion vende të huaja për transplantim.

“Njerëzit ishin rrëmbyer dhe çuar në Shqipëri. EULEX ka një procedurë të hapur për një kamp ku ka patur burgje sekrete dhe vrasje në Kukës në veri të Shqipërisë. Ka disa burime që dokumentojnë se Shqipëria ishte e shqetësuar nga kjo.

Organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, mbështetën një qasje pragmatike politike, duke marrë në konsideratë se ishte e nevojshme nxitja e stabilitetit afat-shkurtët me çdo kusht, duke sakrifikuar kështu disa parime të rendësishme të drejtësisë, theksojnë parlamentarët evropianë.

Komisioni i bëri thirrje EULEX-it dhe misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë që ta përqendrojnë punën hetimore te këto krime.

"Kemi folur me përpikmëri se ku është zhvilluar heqja e organeve. Nuk kemi dhënë të gjitha detajet sepse EULEX ka një çështje të hapur sepse ka patur trafikim organesh në kohën kur ndërkombëtarët ishin në Prishtinë. Organet u dërguan jashtë vendit dhe u transplantuan tek ata njerëz që paguan shumë shtenjtë për to."

Komisioni për Çështjet Ligjore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës thotë se BE dhe vendet e tjera kontribuese duhet të ndihmojë punën e misionit si nga ana politike ashtu edhe pëmres burimeve të tjera. Komisioni u bën thirrje autoriteteve serbe dhe shqiptare si dhe qeverisë së Kosovës, për bashkëpunim të plotë në hetime.

Ndërkohë dje Departamenti amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni i merr shumë serozisht të gjitha akuzat e besueshme për veprimtari penale. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit P.J.Kroli u shpreh në lidhje me aludimet se Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka qenë i përfshirë në rrëmbimin e personave që pastaj janë shfrytëzuar nga një rrjet i trafikut të organeve.

Zoti Kroli shtoi se ka sisteme gjyqësore si Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte, që kanë vepruar prej vitesh dhe se janë hapur një numër procesesh të suksesshme lidhur me akuzat për krime lufte. Si Kombet e Bashkuara, ashtu edhe Gjykata e Hagës kanë hetuar që nga 2004 akuzat mbi rrjete për trafikim organesh, por ato vendosën që të mos ndërmerrnin masa të mëtejshme në këtë drejtim, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Shtetet e Bashkuara, tha zoti P.J.Crowley, mbështesin çdo hetim mbi akuza të tilla.

Në përgjigje të pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara ishin treguar pasive në lidhje me akuza të tilla, pasi synimi i tyre ishte finalizimi i pavarësisë së Kosovës, zëdhënësi nënvizoi se Shtetet e Bashkuara e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e cila u realizua pas një përparimi të dukshëm, punës së jashtëzakonshme të zotit Marti Ahtisari për një numër vitesh, dhe pasi u arrit në përfundimin se nuk kishte asnjë alternativë tjetër funksionale. Shtetet e Bashkuara, tha në përfundim të komenteve të tij zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, P.J. Kroli, e njohën pavarësinë e Kosovës ndërkohë që vazhduan të punojnë me ngulm për marrëdhëniet të mira mes shtetit të ri dhe fqinjëve të saj.

Qeveria e kryeministrit Thaçi e ka denoncuar raportin e zotit Dick Marty si të pabazë. Qeveria e Prishtinës e ka quajtuar daljen e raportit një përpjekje për të njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në një deklaratë, qeveria akuzon gjithashtu kryehetuesin e Këshillit të Evropës, Dik Marti për njëanshmëri dhe fabrikime.

XS
SM
MD
LG