Lidhje

Parlamenti grek debaton në prag të votëbesimit


Parlamenti grek debaton në prag të votëbesimit

Parlamenti grek debaton në prag të votëbesimit

Mijëra përkrahës të partisë komuniste greke marshuan në kryeqytetin e vendit, Athinë në protesta kundër planeve qeveritare për shkurtime të shpenzimeve, me synimin për të mos lejuar falimentimin financiar të Greqisë.

Rreth 5 000 protestues zhvilluan protesta dje para parlamentit grek, të udhëhequr nga kreu i partisë komuniste Aleks Papariga, i cili e akuzoi qeverinë se kishte hyrë në ujdi me kreditorët për “t’i rrjepur të gjallë njerëzit”. Protestat përfunduan pa incidente.

Greqia është pushtuar nga protesta prej disa javësh kundër planeve të Kryeministrit socialist Jorgo Papandreu, për rritje taksash dhe shkurtimesh të shpenzimeve qeveritare, të cilat kërkohen nga udhëheqësit ndërkombëtarë në shkëmbim për kredi emenergjente.

Kryeministri grek Jorgos Papandreu, mbrojti programin e masave shtrënguese të zbatuara nga qeveria e tij në marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar në këmbim të një pakete shpëtimi financiar. Ai i bëri komentet sot gjatë një debati në parlament, në prag të një votë besimi për kabinetin e tij të ri të krizës.

Kryeministri grek Jorgo Papandreu bëri thirrje për një referendum mbi ndryshime në sistemin politik të vendit, sistem që siç tha ai, ka çuar në borxhe masive dhe e ka detyruar vendin të luftojë për të shmangur falimentimin. Zoti Papandreu tha gjithashtu se mospagimi i borxhit ose dalja nga euroja do të ishte katastrofike për popullin grek.

"Pasojat e një falimentimi të dhunshëm ose një daljeje nga euroja do të ishin të menjëhershme dhe katastrofike për familjet greke, për bankat, dhe kredibilitetin e vendit tonë, dhe do të na vinin përsëri aty ku kemi filluar, me fjalë të tjera në një kujdestari me të njëjtin mekanizëm, por shoqëria do të paguante një çmim të madh," tha zoti Papandreu në parlament.

Sot ishte dita e parë e një debati tre ditor rreth politikave të administratës në prag të një votë besimi të martën. Kryeministri Papandreu ia hodhi fajin Bashkimit Evropian që sipas tij nuk parashikoi dot se si do të ndikohej kriza nga tregjet dhe nga vështirësitë ekonomike në vendet e tjera të BE-së.

"Partnerët tanë parashikuqan se me zbatimin e këtij programi ne do të ishim në gjendje për të filluar rregullisht huamarrjen nga tregjet në vitin 2012, por siç duket kjo nuk është e mundur. Ky ishte një parashikim i gabuar. Një parashikim i bërë para se kriza të përhapej në Evropë, para se dy vende të tjera të detyroheshin të futeshin në të njëjtin mekanizëm mbështetjeje. Por, ky parashikim i gabuar nuk ishte i yni. Ishin partnerët tanë, si Bashkimi Europian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ... Faji nuk i duhet hedhur Greqisë."

Papandreu dha garanci se reformat do të japin fryte. Kreu i opozitës konservatore Andonis Samaras, udhëheqës i partisë Demokracia e Re, i cili ka refuzuar vazhdimisht thirrjen për konsensus nga Papandreu, tha se ai nuk mund të mbështesë politikat e qeverisë.

"Ne nuk do t’jua japin votën juve, zoti Papandreu, për një arsye të thjeshtë, sepse qeveria juaj këmbëngul për një politikë që jo vetëm nuk e zgjidh problemin, jo vetëm e rëndon problemin, por krijon më shumë probleme", tha zoti Samaras.

Papandreu e riorganizoi kabinetin e tij javën e kaluar, pas largimit të tre deputetëve të tij.

Analistët thonë se qeveria e re do të arrijë ta fitojë votëbesimin dhe të miratojë reformat, por çështja është se sa shpejt mund të zbatohen ato.

XS
SM
MD
LG