Lidhje

Parlamenti i Serbisë debaton një rezolutë mbi statusin e Kosovës

  • Zëri Amerikës

Parlamenti i Serbisë debaton një rezolutë mbi statusin e Kosovës

Parlamenti i Serbisë debaton një rezolutë mbi statusin e Kosovës

Qeveria e Serbisë tha se pret që edhe 55 vende të tjera ta njohin Prishtinën tani që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi se shkëputja e Kosovës nga Serbia në vitin 2008 nuk përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha sot se vendimi që Gjykata shpalli të enjten ia ka bërë të vështirë Serbisë të vazhdojë fushatën e saj diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Zoti Jeremiç i bëri komentet në një seancë të ngutshme të parlamentit në Beograd për të diskutuar rreth reagimit të Serbisë ndaj opinionit të Gjykatës së OKB-së.

Parlamenti i Serbisë filloi të debatojë sot mbi një rezolutë e cila kërkon bisedime të reja mbi statusin e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila deklaroi se shkëputja e Kosovës nga Serbia nuk binte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Kërkesa për një rezolutë të tillë mund të rrezikojë objektivin e Beogradit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe blloku prej 27 vendesh ka deklaruar se marrëdhëniet e mira mes Serbisë dhe Kosovës janë një kusht kryesor për anëtarësimin.

Rezoluta parlamentare, e pesta për Kosovën që nga viti 2005, e hedh poshtë opinionin e dhënë javën e kaluar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ajo i kërkon qeverisë të lobojë për negociata rreth një statusi të ri duke propozuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Me një politikë të tillë, Beogradi mund të dalë kundër shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat e kanë njohur Kosovën.

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç e shpjegoi kështu situatën:

"Vendi ynë dhe institucionet e tij të zgjedhura në mënyrë demokratike në këtë moment ndodhen përballë një dileme; pra nëse duhet të vazhdojnë t’i përmbahen rreptësisht sovranitetit dhe tërësisë tokësore të vendit të tyre, duke përdor të gjitha mjetet ligjore, politike dhe diplomatike në këtë betejë."

Zoti Jeremiç tha se aktiviteti diplomatik i Serbisë deri në hapjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të përqendrohet në pengimin sa të jetë e mundur të njohjeve të mëtejshme të Kosovës.

Beogradi ka bllokuar anëtarësimin e Prishtinës në organizatat rajonale dhe nuk lejon mallrat apo njerëzit me dokumente të Kosovës të hyjnë në territorin e Serbisë, që është rruga më e shkurtër për në tregjet e Bashkimit Evropian.

Në debatin parlamentar, partitë e opozitës kritikuan ashpër qeverinë se humbi dy vjet me këtë lloj diplomacie e cila nuk arriti të sigurojë një opinion të Gjykatës Ndërkombëtare në favor të Serbisë.

Tomisllav Nikoliç, i cili kryeson grupin më të madh opozitar, Partinë Progresive Serbe, la të kuptohet se pas vendimit të gjykatës, qeveria duhet të ndryshohet.

"Ne kërkuam që deklarata e njëanshme e pavarësisë të shpallej një akt në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Por Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se kjo nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Ne morëm atë që merituam. Dhe tani, na duhet të vuajmë nga kjo. Çdo gjë do të ndryshohet në Serbi përveç qeverisë, përveç njerëzve që janë përgjegjës. Ne të gjithë ndihemi të turpëruar, të poshtëruar, të mundur, vetëm qeveria vazhdon aty ku është," tha zoti Nikoliç.

Rezoluta pritet të hidhet në votë sonte vonë ose pas mesnate dhe besohet se do të miratohet.

XS
SM
MD
LG