Lidhje

Parlamenti i Shqipërisë debaton për 21 janarin pas veprimeve të Prokurorisë


Parlamenti i Shqipërisë debaton për 21 janarin pas veprimeve të Prokurorisë

Parlamenti i Shqipërisë debaton për 21 janarin pas veprimeve të Prokurorisë

Parlamenti në Tiranë miratoi sot ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, kërkuar nga një grup deputetësh se ai po shkel ligjin dhe po abuzon me postin e lartë për t’u marrë me veprimtari politike, hapi i fundit i të cilit pritet të jetë propozimi për shkarkimin e tij nga detyra. Komisioni u ngrit me votat e shumicës, dhe anëtarë do të ketë po ata, sepse opozita tha se nuk do të votonte dhe nuk do të merrte pjesë në një komision, i cili do të merret me një individ dhe jo me reformimin e sistemit të drejtësisë, të dëmtuar nga korrupsioni, paaftësia dhe shërbimet politike. Zoti Spahiu kërkoi sot përsëri që të dëgjohet nga deputetët para se të ngrihet ky komision, por parlamenti shpjegoi se nuk ka procedura që ai të flasë në seancë plenare. Zoti Spahiu i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka deklaruar se është gati të japë dorëheqjen, se është marrë me veprimtari shoqërore dhe jo politike, dhe se do t’i kërkojë gjykatës kushtetuese të interpretojë rreth kësaj nisme të parlamentit kundër tij.

Gjatë diskutimeve mbi gjendjen e drejtësisë, debatet në parlament u zhvendosën tek hetimi ngjarjeve të 21 janarit, të cilat morën një shtytje të fortë përpara me akuzimin e komandatit të Gardës dhe kërkesës për heqje imunitetit të 3 deputetëve socialistë. Deputetët e opozitës socialiste kërkuan që qeveria t’i hapë rrugën hetimeve të mëtejshme të prokurorisë për demonstratën e 21 janarit, ku humbën jetën 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë civilë e ushtarakë. Deputeti Fatmir Xhafa tha se “prokuroria shqiptare me ndihmën e FBI hodhën hapin e parë në ndriçimin e 21 janarit, së paku sa i takon përdorimit të armëve dhe humbjes së jetëve njerëzore”. Deputeti Saimir Tahiri tha se “provat laboratorike të FBI ndriçuan njërën nga vrasjet, që është kryer me armën e komandantit të gardës”, ndërsa përsëriti kërkesën që “të hetohen për këtë ngjarje kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm, Lulëzim Basha”.

Deputetët e Partisë Demokratike pohuan se kryeministri Berisha ishte i pari që mbrëmjen e 21 janarit kërkoi hetime të plota për ngjarjet, të cilat u vonuan, megjithëse shumë detaje ishin në flagrancë dhe në dritë të diellit dhe të mediave. Deputetja Mesila Doda tha se “opozita shqiptare foli për vrasje dhe marrje pushteti gjatë gjithë kohës që përgatiti demonstratën e 21 janarit një vit më parë”. Ajo shprehu pesimizmin e saj mbi mënyrën se si prokuroria po heton këtë ngjarje, duke mos e parë dhunën e opozitarëve si një krim të organizuar. Deputeti Edi Paloka hodhi dyshimet e tij mbi “zvarritjen e hetimeve një vit rresht, ku ngjarjet dhe provat ishin në mes të kryeqytetit”. Ai tha se “prokuroria ka bashkërenduar punën me opozitën socialiste për të mos dënuar organizatorët e dhunës por për të goditur ushtarakaët që mbrojtën shtetin nga dhuna”.

Parlamenti me komisionet e veta pritet të dëgjojë nesër shpjegimet e 3 deputetëve socialistë, para se të votohet për heqjen e imunitetit të tyre, siç ka kërkuar prokuroria. Deri tani janë të akuzuar zyrtarisht vetëm komandanti i Gardës dhe shoferi i tij për krim dhe fshehje krimi, si dhe një teknik kompjuterash në kryeministri që dyshohet se ka fshirë filmimet e kamerave të sigurisë.

XS
SM
MD
LG