Lidhje

Parlamenti i ri i Kosovës mblidhet më 24 shkurt


Parlamenti i ri i Kosovës mblidhet më 24 shkurt

Parlamenti i ri i Kosovës mblidhet më 24 shkurt

Në Kosovë, autoritetet thanë se mbledhja e parë e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të mbahet më 24 shkurt. Ndonëse është shqyrtuar edhe mundësia e mbajtjes së seancës së parë të Parlamentit para datës 17 shkurt, që është përvjetori i pavarësisë së Kosovës, autoritetet thanë se është hequr dorë nga ky synim për hir të procesit politik dhe krijimit të institucioneve të qëndrueshme të vendit. Vendimi pasoi vështirësitë që janë shfaqur në procesin e krijimit të institucioneve të reja.

Përvjetori i tretë i pavarësisë së Kosovës, e gjen atë me institucione në dorëheqje dhe në një proces jo të lehtë të zbatimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi tha sot se është arritur marrëveshje me partitë parlamentare që 24 shkurti të jetë ditë e mbledhjes së parë të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e parakohshme.

“Kjo mbledhje do të jetë konstituive. Do të bëhet betimi i deputetëve të rinj, bëhet zgjedhja e kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve të Kuvendit, të legjislaturës së katërt. Dhe me këtë zgjedhje kjo seancë e konstituon Kuvendin e kësaj legjislature më 24 shkurt 2011”.

Vendimi i sotëm u dha fund zotimeve se trevjetori i pavarësisë do ta gjejë vendin me institucione të reja.

”Ne me dëshirën më të madhe do të ishte, që Kosova t’i kishte edhe më herët institucionet e reja, por realiteti është i tillë dhe ne dëshirojmë që konstituimin e këtyre institucioneve ta bëjmë brenda afatit kushtetues dhe këtë po e bëjmë”, tha zoti Krasniqi.

Partia Demokratike, fituese e zgjedhjeve ka paralajmëruar që gjatë kësaj jave do të zhvillojë bisedime me partitë tjera për themelimin e një qeverie, siç është thënë, shumetnike e shumë përfshirëse, por ende nuk ka dërguar asnjë ftesë zyrtare tek ndonjë subjekt politik. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të qartë më herët se do të qëndrojnë në opozitë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që shihej si partneri më i mundshëm i koalicionit të ri qeverisës, vendosi se nuk do të hyjë në qeverinë e re me Partinë Demokratike, nëse aty nuk përfshihet edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kjo ka bërë që debatet të përqendrohen rreth mundësisë që pjesë e qeverisë të jetë Aleanca Kosova e Re, e afaristit Behgjet Pacolli, i cili ngulë këmbë që të ketë për vete postin e presidentit të vendit. Nëse Partia Demokratike vendosë që të krijojë qeverinë me Aleancën Kosova e Re dhe me pakicat kombëtare, atëherë dallimi në numrat e deputetëve me opozitën do të jetë shumë i vogël. Me kusht që të gjitha partitë e pakicave do të përshiheshin në qeverinë e re, koalicioni do të kishte 67 nga 120 deputetë sa ka parlamenti i Kosovës. Por, një pjesë e deputetëve serb kanë paralajmëruar se nuk do të hyjnë në qeveri me kryeministrin në largim Hashim Thaçi.

Numrat e tillë, sipas vëzhguesve, mund të sigurojnë shumicën e thjeshtë parlamentare, por jo edhe qëndrueshmërinë aq të nevojshme politike për të përballur sfidat që ndodhen para Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG