Lidhje

Maqedoni: Parlamenti debaton votëbesimin


Parlamenti i Maqedonisë po debaton mbi mocionin e votëbesimit për qeverinë e vendit, të ngritur nga Lidhja Social Demokrate e opozitës maqedonase. Në bazë të votave në Parlament, qeveria nuk mund të bie, por analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që partia më e madhe, VMRO-DPMNE të votojë për rrëzimin e qeverisë, që do të shpiente vendin në zgjedhje të parakohëshme parlamentare, të cilat pritet t’i fitojë po kjo parti.

Kriza qeveritare në Maqedoni dhe raportet e ftohura midis partnerëve të koalicionit u vunë re edhe para fillimit të seancës parlamentare, kur kryeministri Nikolla Gruevski nuk u përshëndet për dore me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti.



Lidhja Social Demokrate duke sqaruar vendimin për ngritjen e mocionit të votëbesimit për qeverinë thekson se partnerët e koalicionit qeveritar e krijuan vetë krizën e cila është pasqyruar në shoqëri dhe në institucionet e vendit.

Igor Ivanovski i opozitës maqedone numëroi disa aspekte negative si ekonomia e përkeqësuar, shkalla e madhe e papunësisë, shpërdorimi i mjeteve financiare dhe tenderave dhe mbi të gjitha marrëdhëniet e përkeqësuara ndëretike si elementë për të cilat thotë se është përgjegjëse kjo qeveri. LSD është nxitur të ngrejë mocionin kryesisht për shkak të aktit të ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi për t’u shprehur homazhe pjesëtarëve të rënë të ish-Ushtrisë Clirimtare Kombëtare dhe ndryshimin e emrave të shkollave në komunën e Çairit.

Ndërkohë, PDSH e cila ka bërë të ditur se do të jetë e përmbajtur gjatë votimit, i konfirmon BDI-së se nuk dëshiron të hyjë në qeverinë e Nikolla Gruevskit duke i hedhur poshtë zërat dhe akuzat se ajo synon këtë gjë.

“Ne do të përmbahemi nga votimi për sa i përket mocionit. Të gjithë e dinë se PDSH i dha përkrahje BDI-së për të parandaluar projekt ligjin për branitellat. Kjo përkrahje do të avzhdojë, sigurisht jo përjetësisht se ndërkohë ndodhin shumë projekte antishqiptare. PDSH me këtë tregon edhe një herë se nuk do të behet vegël e askujt për të arritur qëllime të caktuara," thotë deputeti Imer Aliu.

Rilindja Demokratike Kombëtare ka bërë të ditur se do ta mbështesë mocionin duke votuar për rrëzimin e qeverisë. Izet Zeqiri, një nga dy deputetët e partisë thekson se qeveria e Gruevskit ka udhëheqëur një politikë antishqiptare dhe diskriminuese.
VMRO-ja kur LSDM nuk ka përgjigje për arritjet e qeverisë:

“Thelbi i këtyre politikave ka qenë që të krijohet shteti maqedonas si pronë vetëm e maqedonasve; të krijohet kombi maqedonas dhe të madhështohet ai; të forcohet trungu historik maqedonas. Vetëm ata të jenë trashëgimtarë të shtetësisë së këtij vendi të shkëputur nga ish-Jugosllavia. Maqedonasit të jenë i vetmi popull shtetformues dhe shtetndërtues në këtë vend," thotë deputeti Izet Zeqiri.

BDI , nga ana tjetër këmbëngul që secila qeveri e Maqedonisë të formohet nga fituesit e zgjedhjeve tek të dy blloqet etnike, përkatësisht maqeodnasit dhe shqiptarët, një rregull i pashkruar ky por me gjasë i mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar që nga zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Ish-ambasadori Arsim Zekolli parashikon se koalicioni midis partive VMRO-DPMNE dhe Bashkimit Demokratik për Integrim do të vazhdojë të qeverisin ndërsa opozita maqedonase dhe shqiptare LSD dhe PDSH do ta shfrytëzojnë këtë krizë si fushatë të tyre parazgjedhore për zgjedhjet vendore në pranverën që vjen.

“Në rast se vjen deri te shpërbërja e Parlamentit dhe qeverisë, mendoj se konstelacioni i forcave në Maqedoni nuk do të ndryshojë shumë: VMRO ende mban dominimin për sa i përket trupit zgjedhor dhe gjithsesi për shkak të krizës ekonomike do të ndjehen pasojat, por do të jetë pikëpyetje raporti midis partive shqiptare PDSH dhe BDI dhe nëse kjo do të cënojë primatin e BDI-së”.

Zoti Zekolli vlerëson se i gjithë spektri politik është zhytur në një lojë të manipulimeve me ndjenjat e qytetarëve:

“Nëse kjo del e vërtetë, kjo do të jetë edhe një goditje e mëtutjeshme ndaj besimit të qytetarëve si në institucionet demokratike edhe në ato qeveritare dhe administrative të vendit”.

Analisti thotë se seanca parlamentare do të sqarojë nëse bëhet fjalë për një lloj truku të koalicionit qeveritar.

Kryeminsitri Nikolla Gruevski do të mbajë fjalën rreth gjysëm ore para mesnate dhe më pas do të votohet mocioni. Opozita nuk ka vota të mjaftueshme për ta rrëzuar qeverinë; por analistë nuk e përjashtojnë mundësinë që vetë partia VMRO të votojë për rënien e qeverisë në mënyrë që të ketë zgjedhje të reja të parakoshme parlamentare, të cilat parashikohet t’i fitojë përsëri ajo.
XS
SM
MD
LG