Lidhje

Maqedoni: Mbyllen katër rastet e kthyera nga Gjykata e Hagës

  • Isak Ramadani

Maqedoni: Mbyllen katër rastet e kthyera nga Gjykata e Hagës

Maqedoni: Mbyllen katër rastet e kthyera nga Gjykata e Hagës

Parlamenti i Maqedonisë miratoi mbrëmë heqjen nga procedurat gjyqësore të katër rasteve të njohura si “rastet e Hagës” që rëndonin ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe luftëtarëve të tjerë shqiptarë të akuzuar për krime gjatë kohës së konfliktit të armatosur në vitin 2001. Debati në parlament kaloi me mjaft tone të larta, ndërsa opozita maqedonase i quajti vrasës dhe kriminelë pjesëtarët e ish-gueriljes shqiptare dhe e vlerësoi këtë vetëm si një zgjidhje të përkohshme.

Miratimit të amnistisë për ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe komandantëve e pjesëtarëve të tjerë të akuzuar për krime gjatë periudhës së konfliktit të vitit 2001, i parapriu një debat mjaft i ashpër midis deputetëve të Lidhjes Social Demokrate (LSDM) të opozitës maqedonase dhe të atyre të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), e cila u transformua nga ish guerilja shqiptare në parti politike pak muaj pas përfundimit të konflikit të armatosur.

Ish drejtuesit e kryengritësve shqiptarë, tani drejtues të BDI-së, ndër ta vetë Ali Ahmeti i kësaj partie, akuzoheshin për krime kundër njerëzimit, por gjykatat maqedonase për këto vite nuk mundën ta proçedojnë rastin. Tre rastet e tjera, sikurse dhe i pari të kthyera nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në Hagë, për mungesë provash, kanë mbajtur disi peng raportet ndërpartiake shqiptaro-maqedonase ndërsa jo rrallë partitë shqiptare janë detyruar të bëjnë lëshime, sipas analistëve, për shkak të kërcënimeve të ndërlidhura me këto katër raste që përveç zyrtarëve të lartë të BDI-së preknin dhe anëtarë të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në opozitë.

Rastet tjera përfshinin keqtrajtimin fizik të katër punëtorëve maqedonas të një firme ndërtimi, mbylljen e ventilave të ujit në Digën e Likovës dhe zhdukja e 12 civilëve maqedonas.

Aministia u miratua nga një shumicë e thjeshtë prej 63 votash nga 123 deputetë që ka parlamenti i vendit. Edhe kjo është një nga marrëveshjet midis BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së (Organizata e Brendëshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Bashkim Kombëtar Maqedonas) në kuadër të formimit të qeverisë së re. Edhe deputetët opozitarë shqiptarë votuan në favor; ndërkohë që 29 deputetë të Lidhjes Social Demokrate votuan kundër.

Deputetët opozitarë shqiptarë, megjithatë kërkuan që dikush të japë llogari për vuajtjet e një numri personash të akuzuar.

LSDM akuzoi VMRO-DPMNE-në për mbrojtjen e atyre që i quajtën “vrasës dhe kriminelë” ndërsa e vlerësuan këtë si një zgjidhje të përkohshme. Xhevat Ademi i BDI-së tha se LSDM-ja është e gatshme madje të bëjë gjithçka vetëm për të ardhur në pushtet, ndërsa u kujtoi kolegëve të tij opozitar maqedonas se nuk e gëzonin vullnetin e popullit.

VMRO-ja mendon se LSDM-ja po përpiqet të nxisë tensione ndëretnike, që në këtë mënyrë të vijë në pushtet.

XS
SM
MD
LG