Lidhje

Parlamenti miraton buxhetin, regjistrimin e popullsisë


Parlamenti miraton buxhetin, regjistrimin e popullsisë

Parlamenti miraton buxhetin, regjistrimin e popullsisë

Parlamenti shqiptar miratoi sot disa ndryshime në ligjin e buxhetit që lidhen me shkurtime të shpenzimeve administrative dhe projekte investimesh që nuk kanë nisur ende. Ministri i financave Ridvan Bode tha në parlament se “të ardhurat në buxhet janë në 6 muajt e parë në një nivel më të ulët se sa parashikimi”. Sipas tij, “këto të ardhura janë 5 për qind më të larta se vitin e kaluar dhe një rekord historik i mbledhjes, por përsëri janë të pamjaftueshme që të mbulojnë investimet e programuara”. Zoti Bode tha se qytetarët dhe bizneset u janë kthyer marrjes së kredive për investime. Kjo, sipas tij, është shenjë e kthimit të besimit tek qëndrueshmëria ekonomike. Qeveria beson se në fund të këtij viti mund të arrijë një rritje ekonomike rreth 5 për qind, e cila përsëri do të jetë më e madhja në rajon.

Deputetët e Partisë Socialiste munguan përsëri në seancën plenare, por pikëpamja e tyre mbi rishikimet buxhetore mbështetet tek mungesa e transparencës dhe përdorimi i fondeve shtetërore në mënyrë klienteliste dhe propagandistike. Ekspertë të opozitës besojnë se ekonomia shqiptare po kalon një periudhë krize të fshehur nga qeveria pas propagandës partiake; fuqia blerëse e qytetarëve ka rënë, dhe invstimet janë frenuar. FMN shprehu shqetësim për nivelin e borxhit publik, dhe kërkoi rishikimin e një buxheti realist duke nisur pikësëpari me uljen e borxhit, qoftë kjo edhe duke rritur taksat, aq shqetësuese është situata, sipas Fondit.

Parlamenti miratoi po sot edhe disa ndryshime në ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, për të cilin ka patur reagime të ndryshme pro e kundër sidomos për pikat që lidhen me fenë dhe etninë. Deputetët e PDIU abstenuan në votimin e ligjit, duke qëndruar kundër futjes së pyetjeve për etninë dhe fenë, megjithëse tashmë ekziston, sipas tyre, një garanci të plotë për saktësinë e të dhënave. Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, tha se “procesi ka mungesë të theksuar transparence”. Por ministri i inovacionit, Genc Pollo, tha se “debati për këtë regjistrim vazhdon prej 18 muajsh dhe këtu janë përfshirë grupet e interesit”, pra nuk bëhet fjalë për mungesë transparence. Ndryshimet ligjore shkëputin çdo lidhje midis regjistrimit të popullsisë e banesavedhe të dhënave të regjistrit kombëtar të shtetasve. Regjistrimi i popullsisë dhe banesave është një proces i zakonshëm i kërkuar nga Bashkimi Europian si një bazë statistikore mbi shoqërinë shqiptare, por disa organizata kanë kërkuar që të hiqen nga formulari pyetjet që lidhen me përkatësinë etnike dhe fetare të shtetasve.

XS
SM
MD
LG