Lidhje

Parlamenti miraton mes debatesh procedurat për regjistrimin e popullësisë


Parlamenti miraton mes debatesh procedurat për regjistrimin e popullësisë

Parlamenti miraton mes debatesh procedurat për regjistrimin e popullësisë

Disa dhjetëra veprimtarë të organizatës Aleanca Kuqezi protestuan sot përpara parlamentit, në kohën kur brenda po miratohej një vendim për të kaluar me procedurë të përshpejtuar amendamentet e ligjit mbi regjistrimin e popullsisë dhe banesave. Kjo organizatë është kundër regjistrimit të popullsisë me pyetësorë mbi përkatësinë etnike dhe fetare të qytetarëve, sepse e sheh këtë procedurë si një burim spekullimesh me varfërinë e shtresave të ndryshme.

“I bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që të votojnë peticionin e popullit dhe jo projekt-ligjin e grekut. Është e papranueshme që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të votojnë një projekt-ligj, i cili bie ndesh me interesat tona kombëtare. Ata janë zgjedhur atje për të mbrojtur interesat tona; janë përfaqësues të popullit dhe ndaj duhet të ngrihen në lartësinë e detyrës që kanë” - tha Adriatik Llapaj, një nga drejtuesit e protestës së Aleancës Kuqezi, e cila ka dorëzuar në parlament një peticion me mijëra firma qytetarëve kundër regjistrimit.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste të opozitës mungoi përsëri në seancë plenare, megjithë debatet e brendshme nëse duhet ta vazhdojnë apo jo bojkotin. Nga ana tjetër, projekt-ligji ka edhe kritikë të tjerë brenda në parlament. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është forca e parë politike që kundërshtoi hapur regjistrimin me pyetje dhe me vetëdeklarim për kombësinë dhe fenë. Deputeti i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri, deklaroi se partia e tij i mbetet qëndrimit për të mos e votuar një ligj për regjistrimin ku kombësia dhe feja do të përcaktohen me vetëdeklarim.

“Ne do të votojmë ligjin për regjistrimin e popullsisë, por vetëm me një kusht që nuk duhet të ketë në formular pyetje me vetëdeklarim të pabazuar në fakte dhe në prova për kombësinë dhe fenë. Nëse një ligj që përmban pyetje të tilla do të votohet, atëherë kjo do të jetë antishqiptarizma më e madhe që do të bëjë ky parlament” - tha deputeti Tahiri.

Pas seancës plenare, ku u vendos që ky ligj të kalojë për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar, ministri i Inovacionit, Genc Pollo, tha se ndryshimet e fundit e ndajnë regjistrimin dhe vetëdklarimin vullnetar të popullatës nga regjistri themeltar i shtetasve dhe për ata që bëjnë deklarata të rreme do të ketë gjoba deri 1 mijë dollarë.

“Sot kemi një Regjistër Kombëtar Civil ndër më të mirët në rajon dhe Evropë, si dhe lista zgjedhore të besueshme. Pra lidhja Census - Regjistër abrogohet me projektligjin e sotëm. Të dhënat e vjelura nga censusi do të kenë vetëm kuptim statistikor dhe nuk mund të lidhen me identitetin e personit apo të banesës. Projektligji parashikon edhe një gjobë prej 1 milionë lekë për këdo që shkel normat ligjore apo për cilindo që bën deklaratë të rremë në procesin e censusit.” - tha zoti Pollo.

Zyrtarët besojnë se kanë bërë një ligj bashkëkohor që rrit transparencën dhe njëkohësisht mbron të dhënat personale. Por kritikët e shohin me mosbesim pjesën që lidhet me regjistrimin e popullatës sa i takon etnisë dhe besimit fetar. Kundërshtarët e kësaj mënyre regjistrimi theksojnë se pyetjet mbi përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore nuk përfshihen në pyetësorët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian. Ata pohojnë se nga 27 shtete anëtare të BE-së, vetëm 10 prej tyre në lindje të kontinentit kanë pyetësorë mbi fenë dhe etninë, port ë tilla pyetje nuk gjenden prej kohësh në shtete si Greqia, Italia, Gjermania, Franca, Spanja, apo Belgjika.

XS
SM
MD
LG