Lidhje

Shqipëri, polemika të forta në parlament


Parlamenti
Parlamenti
Në Shqipëri parlamenti mbrëmë zhvilloi një seancë të gjatë e cila u dominua më shumë nga çështje të aktualitetit se sa ato të parashikuara në rendin e vet të ditës dhe u shoqerua nga polemika të forta mes palëve


SITUATA E RENDIT DHE E SIGURISE NE VEND

Debate të gjata mes përfaqësuesve të qeverisë dhe të opozitës u zhvilluan kryesisht për situatën e rendit. Shumë deputetë të djathtë folën për një përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes, duke iu referuar rasteve të rënda të shpërthimeve me bomba të telekomanduara. “Vendi është nën thundrën e krimit”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.

Në mbrëmje ndërhyri edhe kryeministri Edi Rama, sipas të cilit policia shqiptare po rimerr veten pas gjendjes shkatërruese në të cilin sipas tij e kishte lënë qeveria e kaluar. Ai sulmoi opozitën e cila sipas tij nuk shprehu asnjë vlerësim për aksionin e dy ditëve më parë të policisë për kapjen e një grupi të rrezikshëm kriminal, i cili dyshohet të jetë përgjegjës për disa vrasje e shpërthime. “Ju bëni politikë me krimin, ne bëjmë luftë me krimin. Politika juaj e frymëzon krimin, ne do ta çojmë krimin aty ku e ka vendin dhe ky është vetëm fillimi”, tha në fund të fjalës së tij zoti Rama duke iu drejtuar opozitës.

Por për ish-kryeministrin Sali Berisha, drejtuesi i qeverisë “nuk flet për krimin por për opozitën. Nuk flet për bandat por për opozitën. Për ne ka rëndësi që të funksionojë shteti ligjor, por nëse ju doni të shkoni drejt shtetit policor dhe ne do të përgatitemi t’ju përgjigjemi”, deklaroi zoti Berisha.


REFORMA TERRITORIALE

Kryetari i parlamentit Ilir Meta përsëriti ftesën ndaj së djathtës që ajo të bëhet pjesë e reformës administrativo-territoriale, duke deklaruar se në komisionin e përbashkët parlamentar asaj i janë garantuar të gjitha të drejtat si e barabartë me shumicën, përfshirë edhe veton.

Por ish-kryeministri Berisha u shpreh se ftesa për konsensus sipas tij ishte e pasinqertë. "Kërkoni konsensus për një parafabrikat, të cilin e keni kryekëput në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Ju se keni hallin tek qytetari, ju e keni fshirë qytetarin nga lista. Ju e keni për zgjedhje. Unë jam dakord që të rivendoset konsensusi, por ai vendoset pasi bëhen korrigjimet e domosdoshme, sepse vendi nuk mund të mbetet peng i këtyre veprimeve të papërgjegjshme”, u shpreh zoti Berisha. Parlamenti miratoi më pas edhe anëtarët e majtë të komisionit të reformës territoriale.


RREZOHEN KANDIDATURAT PER GJYKATEN E LARTE

Me votat e shumicës së majtë, ashtu siç ishte paralajmeruar, parlamenti rrëzoi dy kandidaturat e paraqitura nga presidenti Bujar Nishani për dy vende vakante në gjykatën e lartë. Kryetari i komisionit të Ligjeve, socialisti Fatmir Xhafa, tha se presidenti nuk kishte respektuar procedurat e reja të përcaktuara në ligjin e ri të Gjykatës së Lartë, për emërimet e anëtarëve të saj. Opozita nga ana e saj e ka konsideruar si një veprim politik, vendimin e shumicës.

Pas një votimi nominal, me 44 vota pro, 77 vota kundër dhe 2 abstenime kandidati i propozuar, Petrit Çeno nuk mori pëlqimin e Kuvendit për të qenë gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Edhe kandidatit tjetër, Gjovalin Përnoca, me 39 vota pro dhe 75 vota kundër nuk mori pëlqimin e Kuvendit për të qenë pjesë e kësaj gjykate.


LUMI RADIKA, INTERPELANCA E MINISTRIT TE JASHTEM

Senaca e gjatë e parlamentit u mbyll mbrëmë vonë me interpelancën e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati për çështjen aq të debatuar të lumit Radika në Maqedoni, dhe mundësisë së devijimit të tij në funksion të një projekti për ndërtimin e një hidrocentrali. Lumi Radika është ndër furnizuesit kryesor të Drinit të Zi burim i rëndësishëm për hidrocentralet më të mëdha të vendit.

“Çështja “Radika” deri tani është një çështje mjedisore, energjetike, ekonomike, por nuk është një çështje ndërshtetërore. Nuk ka një projekt përfundimtar që t’i jetë dorëzuar qeverisë shqiptare apo qeverive të vendeve të tjera që preken nga ky projekt,” tha ministri Bushati.

“Ka një koncept ide, një projekt ide, e cila për t'u materializuar në një projekt të zbatueshëm kërkon disa elementë, kërkon në radhë të parë projektin e fizibilitetit që nuk është kryer. Kërkon pëlqyeshmëri nga vendet që potencialisht mund të preken nga zbatimi i projektit dhe kërkon gjithashtu donatorin dhe Banka Botërore jo më larg se sot ka deklaraur se nuk është e gatshme të financojë një prjekt që nuk ka pëlqyeshmërinë e shteteve. Cili është kuadri ligjor? Ai ështe ndërkombëtar, është bilateral si edhe në nivelin europian, për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e SA që të dy vendet kanë me Brukselin”, nënvizoi ministri.

Që prej vitit 2011 autoritetet maqedonase i janë drejtuar Bankës botërore për të patur mbështetjen e saj për këtë nismë të saj, ndërkohë që sipas Shkupit studimi i ndikimit ambiental pritet të përfundojë në muajt e ardhshëm ndërsa projekti përfundimtar do të jetë gati nga mesi i këij viti. Banka botërore në një deklaratë të saj për këtë cështje është shprehur se shtetet që preken nga devijimi i lumit, “Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Greqia duhet të konsultohen rreth hartimit të projektit përpara çdo vendimi për financim nga Banka”.

Zoti Bushati tha se “kjo çështje do të vazhdojë të trajtohet me përparësi nga qeveria shqiptare, do të vazhdojnë konsultat me qeverinë maqedonase dhe konsulta të përhershme me faktorin shqiptar atje. Këto janë instrumentat që ka një shtet dhe një qeveri në dorë”, deklaroi zoti Bushati sipas të cilit “çdo gjë tjetër është spekulim dhe tymnajë”, duke akuzuar opozitën dhe qëndrimet e mbajtura prej saj për këtë cështje. Nga e djathta gjatë interpelancës ishin në sallë vetëm dy deputetë të saj.
XS
SM
MD
LG