Lidhje

Parlamenti rrëzon dekretet e Presidentit Nishani


Në Shqipëri parlamenti votoi mbrëmë kundër dekreteve të presidentit Bujar Nishani me anë të të cilave ai ktheu pas 5 ligje të miratuara gjatë seancës së fundit të 31 korrikut. Kryeministri Edi Rama tha se me aktin e tij “Presidenti nuk ka goditur disa ligje, por ka goditur tre prioritete kombëtare”, duke ju referuar reformës administrative, ligjit për Policinë e Shtetit dhe ndryshimeve në disa ligje që lidhen me sistemin e Drejtësisë. Sesioni i ri i parlamentit nisi me vazhdimin e bojkotit nga ana e opozitës. Ndërsa e quajti të paarsyeshëm këtë vendim, kryeministri tha se shumica ka vullnet ta dëgjojë opozitën por jo ta presë atë

Seanca e parë e sesionit të ri të parlamentit zgjati pak më shumë se 60 minuta. Hapja prej kryetarit Ilir Meta dhe pastaj menjëherë shqyrtimi i dekreteve të presidentit Bujar Nishani, të kundërshtuara me radhë nga deputetët e së majtës, sipas të cilave kthimi pas i 5 ligjeve nga ana e kreut të shtetit nuk kishte argumenta kushtetuese. Ndërsa sipas kryeministrit Edi Rama “Presidenti nuk ka goditur disa ligje, por ka goditur tre prioritete kombëtare. Reforma në Drejtësi është një prioritet kombëtar, nuk është një prioritet partiak. Reforma Administrativo-Territoriale, është një prioritet kombëtar, nuk është një prioritet partiak. Prioritet kombëtar është edhe lufta kundër krimit dhe garantimi i një standardi sigurie normal për qytetarët. Ligji për Policinë e Shtetit erdhi në këtë Kuvend pasi u punua me gjithë përfaqësuesit e organizmave që asistojnë Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme nga një sërë vendesh apo edhe nga strukturat e BE-së”.

Partia Demokratike forca kryesore e opozitës nuk ishte as në seancën e mbrëmshme duke i qëndruar besnik vendimit të marrë që në muajin korrik. Kryetari i saj Lulzim Basha tha dje se “ne nuk do të shkojmë në një Kuvend ku opozita nuk dëgjohet, nuk replikohet, por goditet dhe kërcënohet fizikisht. Nuk është Kuvendi arena që Edi Rama të nxjerrë mllefet dhe urrejtjet e tij të bartura; nuk është kuvendi arena për të larë hesape të tilla”.

Por sipas kryeministrit Edi Rama vendimi i opozitës ishte i paarsyeshëm. “Një gjë është e sigurt që përpjekje për t’i mbyllur gojën opozitës jo vetëm që nuk ka, por ka dhe një dëshmi shumë të qartë të vullnetit për t’i krijuar opozitës mundësinë që të flasë përtej çdo caku të përcaktuar nga rregullorja. Ne jemi më shumë sesa të plotëvullnetshëm që ta mirëpresim opozitën këtu në sallë; më shumë sesa të vullnetshëm që ta dëgjojmë opozitën deri në fund, paçka edhe vetë rregullores, por, sigurisht, nuk mund të presim opozitën, s’mund të bëjmë babysitter-in e opozitës, aq më tepër që opozita nuk është një bebe që sot qan nga uria, por një plak që qahet nga mbingopja”, tha zoti Rama.

Eshtë e paqartë se sa do të zgjasë bojkoti i opozitës, e cila ka paralajmëruar se do të dërgojë në gjykatën kushtetuese ligjet që shumica miratoi mbrëmë pas rikthimit nga presidenti, ndërkohë që tjetër alternativë sipas zotit Basha do të jenë dhe protestat.

Vendimi i demokratëve, i cili nuk është mbështetur nga të gjithë aleatët e djathtë, ka shkaktiar polemika edhe brenda gjirit të grupit të deputetëve, ku nuk kanë munguar mjaft zëra të cilët kanë këmbëngulur që misionin e saj opozita ta zhvillojë në sallën e parlamentit.

XS
SM
MD
LG