Parlamenti serb ka miratuar një rezolutë që bën thirrje për më shumë dialog me Kosovën për të arritur kompromis rreth një mosmarrëveshje tregtare që u shkallëzua në dhunë vdekjeprurëse javën e kaluar.
Ligjvënësit serbë miratuan rezolutën herët të dielën, me një shumicë prej 181 votash në asamblenë prej 250 anëtarësh.
Dhuna shpërtheu e hënë javën e kaluar, kur forcat speciale të qeverisë së Kosovës konfiskuan dy vendkalime kufitare në veri të vendit për të zbatuar një masë për ndalimin e importeve nga Serbia. Qeveria e Kosovës e kishte vendosur këtë embargo këtë muaj në kundërpërgjigje të masës së Serbisë për ndalimin e importeve nga Kosova.
Në veri të Kosovës, banorët serbë u ballafaquan me forcat e rendit, duke nxitur një shkëmbim zjarri që vrau një polic shqiptar dhe plagosi disa njerëz të tjerë. Paqeruajtësit e NATO-s ndërhynë, duke marrë kontrollin e dy pikave kufitare të enjten sipas një marrëveshjeje me qeverinë e Kosovës, e cila tërhoqi prej andej forcat speciale të policisë.
Presidenti serb Boris Tadiç tha të dielën se ai beson se sekuestrimit i shkurtër i vendkalimeve kufitare nga ana e qeverisë së Kosovës është pjesë e një skeme për të ndryshuar balancën demografike në veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi akuzon Beogradin për organizimin e dhunës.
Në fjalën e tij drejtuar ligjvënësve serbe, zoti Tadiç tha se Beogradi nuk do të bëjë luftë në përgjigje ndaj trazirave dhe se beson që paqja është alternativa e vetme. Ai tha se luftërat e mëparshme në ish-Jugosllavi në vitet 1990 shkaktuan qindra e mijëra të vrarë.
Shpërthimi i dhunës në veri të Kosovës është një nga më seriozet në rajon që nga viti 2008 kur Kosova u shpall shtet i pavarur.