Lidhje

Parlamenti shqiptar miraton ndryshimet në qeveri

  • Armand Mero

Parlamenti shqiptar miraton ndryshimet në qeveri

Parlamenti shqiptar miraton ndryshimet në qeveri

Në Shqipëri mbrëmë, pas një seance të nisur që gjatë paradites se djeshme parlamenti miratoi ndryshimet në qeveri sipas të cilave ish ministri i jashtëm Ilir Meta kalon minister i Ekonomisë duke zëvendësuar zotin Dritan Prifti që mbeti jashtë kabinetit qeveritar. Në krye të diplomacisë, parlamenti miratoi zotin Edmond Haxhinasto. Dy ministrat e rinj mbetet tani të bëjnë vetëm betimin para presidentit të Republikës për të nisur zyrtarisht punën.

Po mbrëmë, parlamenti miratoi pas një votimi të dyshimtë rrëzimin e dekretit të presidentit për ligjin e pronave. Pasi u hodh herën e parë në votim, kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli në ndryshim nga votimet e mëparshme nuk lexoi rezultatin, dhe kaloi në votimin e një projektligji tjetër duke e rikthyer më pas rrëzimin e dekretit për votim, pa asnjë lloj shpjegimi. Kreu i shtetit Bamir Topi i rrëzoi ndryshimet e propozuara nga e djathta pasi në thelb ato ishin të njejta me një ligj që më parë ishte konsideruar në shkelje të kushtetutës nga gjykata kushtetuese. Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë se edhe 100 herë të rrëzohej ai ligj do rikthehej në parlament pasi sipas tij përmes këtyre ndryshimeve priten tentakulat e mafies së tokës. Ndërkohë që sipas opozitës, këmbëngulja e së djathtës fsheh synimet e saj abuzive me pronat. Për këtë çështje përfaqësuesit e shoqatës së pronarëve janë shprehur se do të ankohen sërish në gjykatën kushtetuese. Debate të gjata pati në parlament edhe për ligjin e propozuar nga qeveria i cili ofron një mbrojtje të veçantë për investitorët e mëdhenj të huaj që investojnë në sektorët strategjik, i cili gjithashtu mori miratimin e parlamentit vetëm me votat e së djathtës, por që gjithashtu rrezikon të përfundojë në Gjykatën kushtetuese siç paralajmëroi se do të veprojë opozita socialiste.

XS
SM
MD
LG