Lidhje

Parlamenti shqiptar pritet të miratojë ndryshimet në buxhet

  • Armand Mero

Parlamenti shqiptar pritet të miratojë ndryshimet në buxhet

Parlamenti shqiptar pritet të miratojë ndryshimet në buxhet

Në Shqipëri parlamenti pritet të miratojë sot në parim ndryshimet në buxhet për gjysmën e mbetur të vitit. Për të dytën herë radhazi qeveria shqiptare detyrohet të shkurtojë shpenzimet për shkak të mos realizimit të të ardhurave të parashikuara. Sipas projektit shpenzimet do të shkurtohen me afër 180 milion dollarë, ndërkohë që do të ketë megjithatë një rritje të pagave dhe pensioneve. Qeveria ka premtuar se ajo do të ruajë nivelin e borxhit dhe do të mbajë deficitin në nivelet e 3.5 për qind.

Kriza ekonomike globale që vazhdon të ndjehet në vendet e eurozonës por dhe në vendet e rajonit kanë dhënë ndikimet e tyre edhe në ekonominë shqiptare duke çuar në një ulje të ritmit të rritjes së saj: kjo është ndër të tjera arsyeja, se përse, sipas ministrit të Financave Ridvan Bode qeveria detyrohet të ndërhyjë për të bërë shkurtime në buxhet. Zoti Bode pranoi dy dite me pare se parashikimet e fillimvitit kishin qenë optimiste. Gjë e cila sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar duhet të evitohet në të ardhmen pasi është me pasoja për investimet dhe besimin e investitorëve. Sipas Fondit monetar është më e udhës që parashikimet të jenë realiste dhe nëse ato tejkalohen është me e lehtë një rishpërndarje e fondeve shtesë.
Gjatë katër muajve të parë të vitit të ardhurat në vend shënuan një ulje me mbi 73 milion dollarë, ndërsa shpenzimet u rritën me 9.6 përqind krahasuar me një vit më parë. Në total, qeveria ka parashikuar një tkurrje të shpenzimeve me afër 183 milion dollarë dhe prekin të gjitha institucionet. Ministri Bode deklaroi dy ditë më parë se shkurtimet do të prekin kryesisht fondet operative dhe jo aq investimet. Ndërsa pak javë më parë në një intervistë televizive pat deklaruar se në gjysmën e dytë të viti nuk do të ket investime të reja, dhe se do të financoheshin objektet e nisura dhe ato për të cilat ishin zhvilluar tenderat dhe firmosur kontratat. Gati gjysma e shkrutimeve do të prekë në fakt investimet. Edhe në tabelën e përgatitur nga Ministria e Financave, institucionet që do të kenë tkurrjen më të madhe të fondeve do të jenë ministria e Punëve publike me mbi 28 milion dollarë, më pas ajo e Arsimit me mbi 20 milion dollarë dhe ministria e Mbrojtjes me mbi 17 milion dollarë. Për shkak të vështirësive në buxhet, ministria e mbrojtjes u detyrua që të shtyjë për një vit zbatimin e kontratës për blerjen e 5 helikopterëve për të cilët do të shpenzohen 78 milion euro.
Qeveria ka parashikuar ndërkohë sërish një rritje të rrogave dhe pensioneve, ndonëse do të jenë në nivelin e tyre më të ulët krahasuar me vitet e tjera. Afër 4 për qind pagat dhe pensionet në qytet, pra thuajse sa niveli i inflacionit aktual, dhe 7 përqind për pensionet në fshat.
Megjithatë autoritetet shqiptare, përkundrejt shqetësimeve të mëdha të ngritura nga opozita për një keqadministrim të financave të shtetit sipas saj, shprehen sërish optimiste për gjendjen e ekonomisë së vendit. Sipas parashikimeve të qeverisë rritja ekonomike për 2011 do të jetë 5 përqind, 0,5 pikë më pak se parashikimi fillestar. Ndërsa sipas Fondit monetar rritja do të jetë në 2.7 përqind, edhe ky një parashikim i riparë në zbritje nga 3.5 që mendohej në fillim të vitit.
Në tre muajt e parë, ekonomia shqiptare, sipas Instat u rrit me 3.4 përqind. Lajmi i mirë ishte se pas afër 16 muajsh sektori i ndërtimit doli nga recesioni duke shënuar më së fundi, një rritje pozitive. Sektorët me rritjen më të lartë ishin ato të Transporteve, Industrisë dhe Tregtisë.

XS
SM
MD
LG