Lidhje

Parlamenti shqiptar shqyrton projektligjin mbi gjykatat administrative


Parlamenti shqiptar shqyrton projektligjin mbi gjykatat administrative

Parlamenti shqiptar shqyrton projektligjin mbi gjykatat administrative

Në Tiranë, parlamenti pritet të shqyrtojë sot projekt-ligjin për ngritjen e gjykatave administrative. Seanca e sotme ka tërhequr vëmendjen e opinionit vendas, sepse miratimi i projekt-ligjit të hartuar nga USAID-i kërkon që pozita dhe opozita të bashkojnë votat e tyre. Ky projekt ka mbetur për gati dy vjet në tryezat e deputetëve, ndërsa ambasada amerikane kërkoi që të miratohet deri më 30 shtator, përndryshe fondet për gjykatat do të digjen.

Parlamenti shqiptar pritet të zhvillojë sot një nga seancat që ka tërhequr më shumë vëmendjen e opinionit publik. Pikërisht sot skadon afati i një fondi ndihme nga SH.B.A. për të ngritur 6 gjykata administrative në Shqipëri. Projekt-ligji për krijimin e gjykatave administrative është përgatitur prej afro 2 vjetësh me ndihmën e USAID-it dhe qëndron në tryezat e deputetëve për muaj të tërë.

Ky projekt-ligj mbeti pa u miratuar në seancën e fundit të parlamentit të mëparshëm në maj të vitit 2009, dhe ka më shumë se 1 vit që nuk po miratohet as nga parlamenti i ri. Projekt-ligjet mbi drejtësinë në Shqipëri nevojiten të miratohen me shumicë të cilësuar të votve pozitë-opozitë. Por kjo e fundit bojkotoi 6 muaj parlamentin dhe tani ka marrë vendim që deputetët e saj të mos marrin pjesë në votim ligjesh. Situata e tensionuar politike e ka sakrifikuar për muaj të tërë këtë projekt-ligj dhe reformat sistemin gjyqësor. Partitë protagoniste në skenën politike po shkëmbejnë akuza për korrupsion dhe manipulim të zgjedhjeve, ndërsa këto dy tema kanë bllokuar çdo cep të veprimtarisë së tyre.

Ambasada e SHBA në Tiranë i kërkoi parlamentit shqiptar që të miratojë deri më 30 shtator projekt-ligjin e shumëpritur nga një komunitet i gjerë qytetarësh dhe qarqet e biznesit. Deklarata e diplomatëve amerikanë shpreh shqetësimin që nëse nuk miratohet ligji, atëherë do të digjet edhe fondi për ngritjen e gjykatave. Ligji mbi gjykatat administrative është një prej gjashtë elementëve të Programit të Pragut të Dytë të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit.

Kërkesa e hapur dhe e drejtpërdrejtë e SHBA për të miratuar këtë ligj vuri në lëvizje politikanët shqiptarë, që edhe një herë tjetër po ftojnë dhe po akuzojnë njëri-tjetrin për vonesa dhe abuzime. Opozita socialiste kërkon me këmbëngulje hetim parlamentar të zgjedhjeve të kaluara, duke kushtëzuar me këtë çdo pjesëmarrje të saj në nismat ligjore të parlamentit dhe qeverisë. Përfaqësuesi i deputetëve të shumicës së djathtë u bëri thirrje deputetëve të opozitës socialiste që të votojnë projektligjin, duke dhënë edhe garanci për të hetuar zgjedhjet. Ndërsa qëndrimi i opozitës mbetet të shihet vetëm në sallën e parlamentit, sepse në mbledhjen e mbrëmjes të kryesisë së Partisë Socialiste u diskutua kjo çështje, por nuk u bë i ditur ndonjë vendim mbi ndonjë qëndrim zyrtar.

Nevoja për të bashkuar votat pro një projekt-ligji mbi drejtësinë, pohojnë analistët politikë, erdhi pikërisht në çastin kur qeveria dhe opozita janë larguar aq shumë nga njëra-tjetra, dhe kur socialisët po përgatitin tubime të reja protestuese. Sipas tyre, ky është një tjetër rast për të provuar se sa partitë shqiptare i vendosin interesat e ngushta partiake mbi interesat kombëtare dhe qytetare.

XS
SM
MD
LG