Lidhje

Maqedoni, shtyhen zgjedhjet e parakohshme


Zgjedhjet e parakoshme në Maqedoni nuk do të zhvillohen në muajin prill, siç ishte parashikuar. Parlamenti i Maqedonisë vendosi mbrëmë pak para mesnate për të mos u shpërbërë, duke ndryshuar kështu vendimin e 18 janarit, për t'u shpërndarë më 24 shkurt, për t'u hapur rrugën zgjedhjeve.
Deputetët e dy partive shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare ishin propozuesit e vendimit për shtyrjen e shpërbërjes së parlamentit, që u miratua me 83 vota në favor. Deputetët e Lidhjes Social Demokrate të opozitës, ndonëse morrën pjesë në seancë, nuk votuan.
Ligjvënësit pritet t’i bëjnë tani ndryshime Kodit Zgjedhor dhe të caktojnë një datë të re për zgjedhjet.
Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily natën e së martës qëndroi në selinë e partisë më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE për t’i bindur drejtuesit e saj që të shtyhet data e zgjedhjeve.
Ambasadori Baily në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës theksoi se shpreson që deri më 5 qershor do të mund të bëhet pastrimi i listës zgjedhore që është një nga kushtet kryesore për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.
SHBA dhe Bashkimi Evropian bënë një vlerësim para tre ditësh në lidhje me reformat dhe kushtet për zgjedhjet në Maqedoni, duke lënë të kuptohet se Maqedonia nuk ishte e gatshme për zgjedhje të drejta dhe demokratike.
Ndërkohë, ministrat dhe zëvendësministrat nga radhët e Lidhjes Social Demokrate, të cilët gjatë ditës së martë paraqitën dorëheqjet e tyre të kushtëzuara, vendosën t’i tërheqin ato në orët e vona të mbrëmjes, pasi u kuptua se parlamenti nuk do të shpërbëhej.
XS
SM
MD
LG