Lidhje

Mblidhet Parlamenti i ri i Libisë


Parlamenti i sapo zgjedhur i Libisë mbajti seancën e tij të parë dje në qytetin lindor të Tobrukut, 1,500 kilometra nga kryeqyteti Tripoli, ku po zhvillohen luftime mes formacioneve rivale që po përpiqen ta kontrollojnë aeroportin ndërkombëtar të vendit.

Rreth tre të katërtat e ligjvënësve ishin të pranishëm në seancën e parë parlamentare që u mbajt në një hotel nën masa të mëdha sigurie. Por, seanca u bojkotua në masë të madhe nga deputetët pro-islamikë, duke përfshirë kreun e parlamentit të mëparshëm, Nuri Ebu Sahmein, i cili bëri thirrje për një seancë rivale në kryeqytetin e vendit, Tripoli.

Vazhdimi i luftimeve në Tripoli dhe Bengazi, në të cilat janë vrarë më shumë se 200 njerëz në javët e fundit, e bënë të pamundur zhvillimin e seancës së parë të parlamentit libian në këto qytete.

Ndërsa parlamenti po mbante seancën e parë, pjesë të Tripolit u goditën me artileri dhe raketa. Kryengritësit islamikë nga qyteti bregdetar Misrata dhe qyteti malor Zintan, të cilët në vitin 2011 luftuan krah për krah me diktatorin libian Muamer Gadafi, po luftojnë për kontrollin e aeroportit.

Dje në Uashington, kryeministri libian Abdullah al-Thinni u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry, dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të mbështesin Libinë në mënyrë që qeveria të kapërcejë atë që ai e quajti një "periudhë shumë të vështirë".

XS
SM
MD
LG