Lidhje

Dy parti – demokratja dhe republikania, dominojnë skenën politike amerikane


Partia Demokrate dhe ajo Republikane nuk janë grupimet e vetme politike në Shtetet e Bashkuara. Por këto janë partitë me të cilat identifikohen shumica e amerikanëve, kur hedhin votën. Në rubrikën Si Voton Amerika, i hedhim një vështrim historikut dhe qëndrimeve të demokratëve dhe republikanëve:

Partia Demokrate dhe ajo Republikane janë forcat dominuese politike në Shtetet e Bashkuara. Këto dy parti kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin prej një shekulli e gjysmë.

Të dyja partitë e kanë zanafillën në themelimin e Shteteve të Bashkuara në fund të viteve 1700. Nga mesi i viteve 1800, të dyja partitë kishin marrë një formë të ngjashme me atë të ditëve tona. Në shekullin e njëzetë, secila parti kishte një president, i cili u shndërrua në simbol të parimeve të saj.

Republikani Ronald Reagan u zgjodh në vitin 1980. Ai mbështeti një program që ende ndiqet nga partia e tij, siç shpjegon zëdhënësi i Komitetit Kombëtar Republikan Sean Spicer:

“Partia Republikane është partia e qeverisë së kufizuar, taksave më të ulëta, sipërmarrjes së lirë dhe në përgjithësi e një programi mjaft konservator”.

Figura që simbolizon Partinë Demokrate është Franklin Ruzvelti. Ai u bë president në vitin 1933, në mes të Depresionit të Madh. Ruzvelti ndërmori nismën “Marrëveshja e Re” me reforma qeveritare ekonomike e sociale për të mbrojtur klasën punëtore. Melanie Rousséll është zëdhënëse e Komitetit Kombëtar Demokrat:

“Demokratët gjithmonë janë përpjekur të ndihmojnë klasën punëtore për të realizuar ëndrrën amerikane duke i ndihmuar të blejnë shtëpi, të dërgojnë fëmijët në universitet, si dhe kanë mbështetur të moshuarit që të përballojnë jetesën. Ideja është që qeveria të punojë për popullin”.

Të dyja partitë tërheqin grupe të ndryshme sociale, demografike e etnike. Zonja Roussell thotë se baza e partisë së saj pasqyron parimet e Ruzveltit:

“Grupet bazë të përbërjes së partisë janë të rinjtë, gratë, afrikano-amerikanët dhe hispanikët. Ne jemi partia e përfshirjes”.

Baza e Partisë Republikane përfshin votues të bardhë të krishterë, që vlerësojnë traditën dhe kanë bindje të forta fetare.

Megjithëse për shumë kohë shtresat e pasura kanë qenë baza e partisë, Ronald Regani dhe para tij presidenti republikan Riçard Nikson tërhoqën votues të klasës punëtore të cilët tradicionalisht mbështesnin demokratët. Zëdhënësi Sean Spicer thotë se në vitet 1990, republikanët përjetuan një zhvendosje të shifrave, me votues nga zona jotradicionale republikane:

“Filluam të vërejmë një formë tranzicioni që solli një fuqizim të Partisë Republikane në jug të vendit si dhe një prani në veri-lindje. Tani partia po përpiqet të forcojë radhët në pjesën qendrore dhe në shtete si Nju Meksiko, Kolorado e Nevada, ku ka pasur rritje të bazës”.

Presidenti aktual Barak Obama është demokrat ndërsa pararendësi i tij, Xhorxh Bush është republikan.

XS
SM
MD
LG