Lidhje

Partia Demokratike do t'i kërkojë sot K.Q.Z. të shtyjë asgjësimin e fletëve të votimit


Partia Demokratike do t'i kërkojë sot K.Q.Z. të shtyjë asgjësimin e fletëve të votimit
Partia Demokratike do t'i kërkojë sot K.Q.Z. të shtyjë asgjësimin e fletëve të votimit

Partia Demokratike në Tiranë vendosi t'i kërkojë sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shtyjë diskutimin mbi pastrimin e materialeve zgjedhore, mes tyre edhe fletëve te votimit, nga kutitë e zgjedhjeve të kaluara. Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryeministri i koalicionit qeveritar, Sali Berisha, bëri të ditur se përfaqësuesi i partisë së tij pranë K.Q.Z.-së do të kërkojë në mbledhjen e sotme të këtij institucioni që të shtyjë për më vonë përgatitjet që lidhen me kutitë e votimit, për sa kohë që opozita socialiste po kërkon rishqyrtimin e fletëve të votimit.

“Ne nuk mund të themi të digjen fletët tani, sepse nuk na kanë kthyer përgjigje. Nuk është normale, dhe unë nuk e bëj këtë, që shumica nga një anë t'i kërkojë opozitës të shkojë në institucionet ndërkombëtare apo në Gjykatën Kushtetuese, dhe nga ana tjetër nga K.Q.Z. të digjen fletët e votimit. Prandaj edhe ne u themi: Shkoni e zgjidheni, se nëse hapen kutitë e fletëve të votimit, pa një vendim gjykate, absolutisht ato fletë nuk do të kenë fat tjetër veçse djegien, djegien dhe vetëm djegien” - deklaroi zoti Berisha në një intervitë për television Klan.

Kryeministri Berisha tha se koalicioni qeveritar ka shprehur tashmë gadishmërinë për të pranuar çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore, dhe për hetim të zgjedhjeve të kaluara.

“Ne biem dakord që të ngremë komisionin hetimor, ku opozita të ketë shumicën në votim, opozita ta kryesojë atë. Opozita t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, opozita t'i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, të cilët i drejtohen çdo ditë qytetarët shqiptarë dhe e cila predominon me Kushtetutë mbi gjykatat e vendit; të marrë vendimin e Gjyakatave dhe ne jemi të gatshëm të numërojmë çdo votë, të ndryshojmë çdo rezultat pa asnjë hezitim”.

Opozita socialiste propozoi një marrëveshje me koalicionin qeveritar, sipas të cilës, një komision hetimor parlamentar të hetojë materialet zgjedhore, ndërkohë që për hapjen e fletëve të votimit të kërkohet një koment i Komisionit të Venecias. Opozita ka kërkuar që fletët e votimit të ruhen, ndërkohë që po negociohet për hetimin e zgjedhjeve dhe rishqyrtimin e fletëve dhe të materialeve zgjedhore.

Komisioni Qendror pritet të zhvillojë sot një mbledhje për të nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të 8 majit. Në procedurat e punës së KQZ-së parashikohet që materialet e zgjedhjeve të kaluara arkivohen dhe administrata nis përgatitjet për të ripërdorur kutitë e votimit, gjë që nënkupton edhe asgjësimin e fletëve të votimit.

XS
SM
MD
LG