Lidhje

PD shkarkon anëtarin e LSI në KQZ


Opozita flet për veprim antikushtetues. E djathta vendos të emërojë një kandidaturë të propozuar nga partia republikane.

Në Shqipëri një konflikt i ri është hapur mes shumicës së djathtë dhe opozitës lidhur më përbërjen e komisionit qëndror të zgjedhjeve dhe atyre të niveleve të dyta. Shkak është bërë kalimi i Lëvizjes socialiste për Integrim në opozitë. Kjo parti, si pjesë e shumicës, deri javën e shkuar, pati të drejtën e propozimit të një anëtari të KQZ, i cili tani, sipas partisë demokratike duhet zëvëndësuar për të ruajtur barazpeshimin politik mbi bazë të të cilit është ndërtuar e gjithë administrata zgjedhore, shprehen demokratët. Pasdite, me votën e tyre, komisioni i ligjeve vendosi lirimin e anëtarit të propozuar nga Lsi. Për përfaqësuesit e opozitës e gjitha kjo është një lëvizje antikushtetuese që vë në pikëpyetje procesin zgjedhor.
Komisioni qëndror i Zgjedhjeve nisi nga puna në fund të vitit të shkuar. Kodi i ri zgjedhor përcaktoi edhe formulën e përbërjes së tij, ku dy forcat kryesore të shumicës dhe opozitës propozonin nga dy anëtarë secila, ndërsa më pas, partitë e tjera nga të dy krahët propozonin secila nga një anëtar. Kryetari i komisionit qëndror zgjidhet mes disa kandidaturave me shumicë të thjeshtë votash. E përkthyer në numra, kjo formulë siguron një përfaqësim 4 me 3 në favor të shumicës në Komisionin qëndror të zgjedhjeve.

Një nga anëtarët e propozuar nga shumica është kandidaturë e Lëvizjes socialiste për integrim, e cila deri javën e shkuar ishte pjesë e shumicës parlamentare. Por kalimi i saj në opozitë shtyu sot partinë demokratike që të kërkojë zëvendësimin e anëtarit të KQZ të propozuar nga LSI-ja. Sipas kërkesës së paraqitur prej saj, “kodi bazohet në një parim themelor, atë të barazpeshimit politik, i cili - sic theksohet në kërkesë - është themeli i kompozimit të KQZ, por edhe i komisioneve zonale, atyre të qendrave të votimit apo dhe grupnumërimeve”.

Me kalimin e LSI-së në opozitë raportet janë përmbysur. Në KQZ ato janë 4 me 3 në favor të së majtës, të gjithë komisionet zonale po ashtu janë me shumicë të majtë, ku gjysma është 5 me 2 për opozitën ndërsa gjysma tjetër 4 me 3 po me shumicë nga e majta. Sipas partisë demokratike kjo është “një situatë paligjshmërie e cila dërrmon shtyllën kurrizore të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve, votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve. Prishja e kësaj barazpeshe - shton më tej partia demokratike - është përmbysje e sistemit ligjor të menaxhimit të zgjedhjeve dhe parlajmërim i manipulimit”, shkruhet në kërkesën drejtuar parlamentit. Madje sipas partisë demokratike, edhe aleanca PS-LSI e lidhur për këtë qëllim “është prove e platformës për manipulim”.

Në kërkesën e saj partia demokratike I referohet frymës së ligjit, por nuk citon asnjë nen të tij, sipas të cilit duhet të zëvendësohet anëtari I propozuar nga LSI. Anëtarët e Komisionit qëndror kanë një mandat 6 vjecar. Vetë kodi parashikon në mënyrë specifike rastet kur ndërpritet mandati, dhe në asnjë prej tyre, nuk bëhet fjalë për ndërprerje kur ndryshojnë raportet politike në parlament.

Lëvizja socialiste për integrim u shpreh kategorikisht kundër. “Tendenca për të politizuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe aq më keq tendenca për ta ndryshuar përbërjen e këtij institucioni është pa diskutim një standard i cenuar i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha nënkryetari i saj Ylli Manjani.

Por pasdite Komisioni parlamentar i Ligjeve u mblodh pikërisht për të vendosur mbi kërkesën e partisë demokratike. Debatet ishin mjaft të ashpra, socialistët folën për një veprim antiligjor dhe goditje të rëndë për standardet demokratike. Sipas, deputetit Fatmir Xhafaj veprimi i mazhorancës ka qëllime politike dhe aspak juridike. Ndërsa të tjerë përfaqësues të opozitës akuzuan kryeministrin se po e kthen parlamentin në xhelat të ligjeve. Shumica iu përmbajt arsyetimit për nevojën e një balancimi të komisioneve zgjedhore, dhe miratoi dy kandidaturat e propozuara nga partia republikane,të cilat pritet të hidhen në votë nesër në parlament.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG