Lidhje

Partia e Kryeministrit të Rusisë pëson rënie në zgjedhjet parlamentare


Partia e Kryeministrit të Rusisë Vladimir Putin pësoi rënie në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

Ndërkohë që janë numëruar 80 përqind të votave, rezultatet tregojnë se Rusia e Bashkuar ka fituar vetëm 50 përqind, krahasuar me 64 përqind në vitin 2007. Partia Komuniste është në vend të dytë me vetëm 20 përqind.

Analistët e çështjeve ruse kishin parashikuar javët e fundit një rënie të ndjeshme të popullaritetit të partisë për shkak të pakënaqsisë së votuesve për shtimin e diferencës së të ardhurave mes të pasurve dhe të varfërve në Rusi, si dhe të akuzave për korrupsionin zyrtar.

Në vitin 2007, Rusia e Bashkuar fitoi dy të tretat e dhomës së ulët të parlamentit, Duma, që i dha mundësi asaj ta ndryshonte lehtësisht kushtetutën. Partia po lufton tani të ruajë shumicën në parlament.

Më herët gjatë ditës, policia ndaloi më shumë se 100 veprimtarë të opozitës gjatë një demonstrate në Moskë. Dhjetra të tjerë u ndalun në Shën Pjetërburg.

Po ashtu dje, një grupi i pavarur monitorues i zgjedhjeve, Golos, i tha Zërit të Amerikës se policia ruse kishte ndaluar anëtarët e tij të monitoronin zgjedhjet në mbarë vendin.

Golos dhe radiostacioni popullor i opozitës ruse Ekho Moskvi, thanë gjithashtu se faqet e tyre të internetit ishin bllokuar. Edhe disa faqe të tjera interneti të opozitës gjithashtu nuk funksiononin.

XS
SM
MD
LG