Lidhje

Republikanët debatojnë të ardhmen e tyre politike


Partia Republikane ka filluar një periudhë vetë-analize pas humbjes së kandidatit republikan, Mitt Romney ndaj President Barack Obama në zgjedhjet e 6 nëntorit.

Është një moment i frikshëm për çdo politikan: fjalimi i pranimit të humbjes. Dhe republikani Mitt Romney nuk bëri përjashtim natën e zgjedhjeve.

“Këto zgjedhje kanë përfunduar, por parimet tona mbijetojnë”.

Përkrahësit e zotit Romney u demoralizuan, ndërkohë që republikanët po përpiqen të nxjerrin mësime nga humbja e këtij viti.
Mes tyre është edhe guvernatori i Luizianës, Bobby Jindal.

“Ne nuk kemi nevojë të bëjmë kompromis apo të ndryshojmë parimet tona, por në të njëjtën kohë, ne mund të ruajmë respektin për të tjerët”.

Guvernatori Jindal është mes atyre njerzve, të cilët po i bëjnë thirrje partisë që të zbusë retorikën konservatore dhe të përpiqet ta shtrijë mesazhin e vet tek pakicat, gratë dhe votuesit e rinj: grupe që përgjithësisht mbështetën presidentin.

Një pikpamje kjo që mbështetet edhe nga ish shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë në administratën Reagan, Ken Duberstein.

“Pastërtia nuk është as strategji fushate fituese dhe as strategji qeverisëse. Politika në Amerikë është si një art kompromisi”.

Dhe zoti Duberstein thotë se partia e tij duhet të jetë më shumë përfshirëse.

“Ne duhet të fillojmë të shëmbim muret dhe pengesat dhe jo t’i ngremë ato. Kjo është ajo që duhet të bëjë Partia Republikane”.

Republikanët përballen gjithashtu me sfida të mëdha demografike. Numri i votuesve të bardhë është në rënie, ndërsa numri i votuesve hispanikë është në rritje, thotë historiani i Universitetit të Kalifornisë, Matthew Dallek.

“Partia Republikane nuk mund të jetë thjeshtë partia e meshkujve të bardhë e protestantë. Republikanët duhet të tërheqin afrikano-amerikanët, hispaniko-amerikanët si dhe gratë dhe votuesit e rinj”.

Disa republikanë, mes tyre edhe Senatori i Arizonës, Jon Kyl, po përpiqen të tërheqin votuesit hispanikë me propozime për reforma të imigracionit, që synojnë të ofrojnë status të ligjshëm për të rinjtë.

“Për shumë njerëz që do të marrin pjesë në këtë program, ata do të kenë mundësinë e një rruge të mirë drejt qytetarisë amerikane, nëse e dëshirojnë një gjë të tillë”.

Partia Republikane duhet gjithashtu të zbusë tonin, thotë analisti i Institutit Brookings, Thomas Mann.

“Të jesh konservator është normale, por jo të jesh dogmatik ose ideolog fanatik. Republikanëve do t’u duhet të operojnë brënda kornizave të zakonshme të politikës amerikane dhe do të jetë një skenë mahnitëse të shikosh se si do t’u përshtaten ata sfidave të tyre afat-gjatë”.

Analistët parashikojnë shumë debate për një parti, që mezi pret të vazhojë zbatimin e objektivave të saj pas humbjes më të fundit në zgjedhje.
Ndërkohë, duke vazhduar një traditë të vjetër amerikane, presidenti Obama priti dje në Shtëpinë e Bardhë rivalin e tij republikan, Mitt Romney për një drekë private dhe pa komente për gazetarët.
XS
SM
MD
LG