Lidhje

Partia Socialiste ceremoni të posaçme për Ditën e Çlirimit


Partia Socialiste ceremoni të posaçme për Ditën e Çlirimit
Partia Socialiste ceremoni të posaçme për Ditën e Çlirimit

Partia Socialiste e opozitës organizoi sot ceremoni të posaçme në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit për të nderuar të rënët shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Deputetë e përfaqësues të Partisë Socialiste, të shoqëruar nga familjarë të dëshmorëve, vendosën kurora me lule pranë shtatores “Nënë Shqipëri” për të nderuar sakrificat e luftëtarëve shqiptarë në luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit fashistë dhe nazistë në fundin e nëntorit 1944.

Kryetari i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama, tha se këta dëshmorë dhanë jetën për një Shqipëri të zhvilluar, por ajo edhe sot e ka të vështirë që të hyjë në Bashkimin Europian. “Detyrimi ynë ndaj dëshmorëve është i madh. Detyrimi i shoqërisë tonë ndaj tyre është i madh. Të gjithë së bashku duhet t’i çojmë përpara punët e këtij vendi, punët e këtij kombi dhe punët e këtij shteti për një të nesërme, e cila nuk ka arësye pse të mos përmbushë ëndrrën e vjetër europiane të gjithë atyre që na pararendën e në mënyrë të posaçme të atyre që dhanë jetën jetën për atë ëndërr” - tha zoti Rama.

Festimet e për çlirimin e Shqipërisë nga nazistët në vjeshtën e 1944 kanë nxitur gjithmonë gjatë tranzicionit kundërshtimet e ashpra të organizatave antikomuniste, të cilët i shohin ato simbole të diktaturës. Forcat antikomuniste dhe shoqatat e ish-të përndjekurve politike pohojnë se menjëherë pas largimit të nazistëve, komunistët shqiptarë të drejtuar nga komunistët serbë instaluan pa zgjedhje të lira në Shqipëri një nga diktaturat më të egra të Europës Lindore, duke vrarë gjithë kritikët e tyre politikë e atdhedashës, dhe duke përndjekur çdo personalitet të jetës shqiptare. Sipas tyre, Shqipëria u bë vendi më i izoluar dhe më i pazhvilluar i Europës, dhe diktatura komuniste e Enver Hoxhës e ndau vendin për gjysëm shekulli politikisht dhe fizikisht nga vlerat e lirisë dhe demokracisë perëndimore.

XS
SM
MD
LG