Lidhje

PS dhe LSI zyrtarizojnë marrëveshjen për bashkëpunim


Marrëveshja shpall si objektiv kryesor anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda dy mandateve të ardhshme

Sot pasdite në Shkodër në përfundim të një konference rajonale të partive të majta europiane, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim zyrtarizuan marrëveshjen për bashkëpunim.

Marrëveshja ose Karta e Parimeve, siç u quajt teksti i saj, u firmos nga kryetarët e dy partive. Ajo përmban elementët bazë mbi të cilat do të ndërtohet bashkëpunimi i ardhshëm duke shpallur si objektiv kryesor anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda dy mandateve të ardhshme.

Këtij objektivi i është përshtatur edhe emri që do të mbajë koalicioni i majtë, i cili do të quhet Aleanca për Shqiperinë Europiane.

Pas katër vitesh në qeveri me të djathtët, tre javë më parë Lëvizja Socialiste për Integrim u largua nga qeveria e kryeministrit Sali Berisha për t’u rikthyer në gjirin e familjes së saj të natyrshme, pavarësisht një historiku të trazuar marrëdhëniesh mes palëve.
XS
SM
MD
LG