Lidhje

Partia Socialiste përjashton deputetin Kastriot Islami nga grupi parlamentar


Partia Socialiste përjashton deputetin Kastriot Islami nga grupi parlamentar

Partia Socialiste përjashton deputetin Kastriot Islami nga grupi parlamentar

Në Tiranë, Partia Socialiste përjashtoi një deputet të sajin nga grupi parlamentar për moszbatim të vendimeve politike.

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist u vendos sot që deputeti Kastriot Islami të çregjistrohet nga radhët e tyre në parlament për shkak se me veprimet e tij ka dalë kundër vullnetit politik të Partisë Socialiste.

Kjo parti vendosi që të largojë nga grupi i deputetëve të saj zotin Islami, pas shkeljes së statutit partiak gjatë procedurave të votimit në parlament. Në një deklaratë të kryesisë së grupit parlamentar socialist thuhet se cregjistrimi nga grupi i deputetit Islami u vendos me votat e pjesës dërrmuese të deputetëve, përveç katër vota kundër dhe dy abstenime.

Përfaqësuesi i grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, theksoi nga deklarata që u mbajt pas mbledhjes se “çdo deputet e ka ditur detyrimin statutor për zbatimin e vendimit politik, dhe pasojat për këdo që mund t’i dilte kundër vullnetit të grupit.

Ndërsa deputeti Kastriot Islami u largua nga votimi duke e shkelur vendimin politik plotësisht i vetëdijshëm për përmbajtjen e normës statutore në rastin e kësaj shkeljeje, çka nënkupton automatikisht çregjistrimin e tij nga grupi parlamentar socialist”.

Pak më parë deputeti Kastriot Islami kërkoi në mënyrë të përsëritur që “mbledhja ku do të diskutohej përjashtimi i tij të zhvillohej me dyer të hapura për mediat, në mënyrë që ai të shpjegonte sa më qartë qëndrimet e tij”.

Pas vendimit të grupit për cregjistrimin e tij, zoti Islami tha se “prapa këtij vendimi qëndron kryetari i PS, Edi Rama, i cili sipas tij, asnjëherë nuk ka dëgjuar sugjerimet e politikanëve të tjerë në parti, sidomos ata që kanë kundërshtuar grevën e urisë së deputetëve, bojkotin 6 mujor të parlamentit dhe sjellje të tjera të dhunshme që ndoqi PS, me veprime rruge”.

Por si e shohin analistët e shtypit këtë ngjarje në radhët e P.S.-së?

Kryeredaktori i gazetës “Shqip”, Aleksandër Çipa, thotë se “statutet partiake janë nënvlerësuar për shumë vjet, ndaj kjo që ndodhi është një përpjekje për të vendosur rregull brenda grupit parlamentar”.

Ndërsa zëvendës-kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi, thotë se “përjashtimi i deputetit Islami nga grupi parlamentar socialist është një mesazh për politikanët e tjerë të Partisë Socialiste që mendojnë ndryshe nga drejtuesit kryesorë”.

Mbledhja e sotme e grupit të deputetëve socialistë u përcoll me interesim nga media për faktin që larmia e qëndrimeve politike brenda kësaj force vlerësohej si një pasuri e kësaj partie, ndërsa tani u bë e disata herë që ligjevënësit socialistë diskutojnë nëse duhet të largojnë apo jo njëri tjetrin nga grupi parlamentar, kjo edhe për shkak të diferencës së vogël të votave me partitë e koalicionit qeveritar.

XS
SM
MD
LG