Lidhje

Partia Svoboda në zgjedhjet e Ukrainës

  • Brian Padden

Në Ukrainë, Partia Svoboda që do të thotë liria, përqafon një axhendë ultra-nacionaliste, anti-ruse dhe kritikët e saj thonë se Svoboda është një organizatë neo-naziste dhe anti-semite. Oleh Tyahnybok, kandidat për president i Svobodës nuk është një nga pretendentët kryesorë në garë por siç njofton Brian Padden i Zërit të Amerikës, gjatë tensioneve të tanishme me separatistët rusë në Ukrainën lindore, shumë nga pikëpamjet e tij pasqyrojnë më shumë se kurrë ndjenjat nacionaliste të shumicës.

Kandidati Oleh Tyahnybok i partisë Svoboda mbështet idenë e ndërtimit të një ushtrie të fuqishme për t’i rezistuar çdo inkursioni rus dhe për të luftuar separatistët pro-rusë. Megjithëse përkrah autonominë e zgjeruar për qeveritë rajonale, Tyahnybok thotë se nuk mund të ketë negociata me ata që ai i quan terroristë dhe që mbështesin shkëputjen e Ukrainës lindore:

“Sot qeveria duhet të përfundojë sa më shpejt operacionin anti-terrorist për të izoluar terroristët, për t’i çarmatosur ata, për të filluar hetimet kundër njerëzve që po shkaktojnë këto probleme”.

Partia Svoboda ishte një forcë në protestat për të rrëzuar presidentin Viktor Yanukovych në fillim të vitit. Vitet e fundit ajo ka fituar 10 përqind të vendeve në parlamentin e Ukrainës.

Por partia ka shkaktuar polemika me qëndrimin e saj nacionalist, me pikëpamjet konservatore kristiane dhe deklaratat anti-semite të së kaluarës. Në një fjalim në vitin 2004 para parlamentit, Tyahnybok tha se Ukraina kontrollohej nga “mafia hebraike moskovite”.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Kievit, Olexiy Haran thotë se Tyahnybok dhe partia e tij i kanë moderuar pikëpamjet vitet e fundit:

“Ata ishin të djathë ekstremë. Ai ka bërë disa deklarata anti-semite dhe ksenofobe por pas 2004-ës, e kam vrojtuar me kujdes pasi e kam kritikuar për këtë. Retorika e tij tani nuk është më ksenofobe”.


Tyahnybok thotë se mbështet idenë që qeveria e përkohshme ta bëjë gjuhën ukrainase të vetmen gjuhë kombëtare, një çështje që ka ndihmuar në nxitjen e pakënaqësive në pjesët rusisht-folëse të vendit:

“Qëndrimi im dhe ai i partisë Svoboda është ky: gjuha e vetme kombëtare është ajo ukrainase dhe kjo as që kërkon diskutim. Ne nuk do të heqim dorë nga kjo pikëpamje. Por në jetën e përditshme njerëzit mund të flasin cilën gjuhë të duan.”

Dhe si shumë ukrainas, ai shpreh keqardhje që vendi i tij dha arsenalin e vet bërthamor në këmbim të premtimeve nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania për të respektuar pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë e Ukrainës:

“Në çdo takim njerëzit thonë se ky ishte një gabim pasi Shtetet e Bashkuara nuk po përmbushin marrëveshjen me Ukrainën. Në se do të kishim butonin e bombës bërthamore, Putini nuk do ta kishte filluar asnjëherë luftën.”

Ndërsa kandidati Oleh Tyahnybok i partisë Svoboda mund të shihet si ekstremist për çështje të racës dhe fesë, çështjet e sigurisë kombëtare në pikëpamjet e tij janë në përputhje me ato të pjesës më të madhe të nacionalistëve pro-ukrainas.


XS
SM
MD
LG