Lidhje

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoni shikojnë mundësinë e bashkëpunimit

  • Isak Ramadani

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoni shikojnë mundësinë e bashkëpunimit

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoni shikojnë mundësinë e bashkëpunimit

Dy drejtuesit e partive opozitare shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani u takuan sot në Tetovë për të biseduar në lidhje me mundësinë e bashkëpunimit midis partive të tyre, asaj Demokratike Shqiptare dhe Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Nisma e paraqitur nga zoti Thaçi është bërë me qëllim të krijimit të një opozite më të fortë shqiptare. Partia më e vogël, Rilindja Demokratike Kombëtare e cila ka dy deputetë në Parlamentin e Maqedonisë, shpreson në një bashkëpunim korrekt duke respektuar programin e ndërsjellë politik.

Dy drejtuesit politikë kanë rënë dakord për krijimin e një grupi ekspertësh që do të merrej me çështjet jetike të shqiptarëve në nivel vendor, rajonal dhe shtetëror.

Zoti Rufi Osmani, i cili njëkohësisht është kryetar i komunës së Gostivarit, pas ngjarjeve të dhunshme në Gostivar në vitin 1997 kur dhe u burgos për shkak të ngritjes së flamurit shqiptar para ndërtesës së komunës, pat refuzuar që prej atëherë të komunikonte me drejtuesit e PDSH-së, të cilët i fajësonte për burgosjen e tij.

Partia Demokratike Shqiptare ka tetë deputetë. Nga ana tjetër partitë e vogla shqiptare të papërfaqësuara në Parlament kanë reaguar dhe e kanë quajtur këtë si një pajtim privat midis zotërinjve Thaçi dhe Osmani.

XS
SM
MD
LG