Lidhje

Pas 10 vitesh luftë, Afganistani ndosht ka përballë një të ardhme të pasigurt


Pas 10 vitesh luftë, Afganistani ndosht ka përballë një të ardhme të pasigurt
Pas 10 vitesh luftë, Afganistani ndosht ka përballë një të ardhme të pasigurt

Pas 10 vjetësh në Afganistan, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë një rrugëdalje për trupat e tyre nga ai vend, për në fund të vitit 2014. Por ka shqetësime mbi ecurinë e strategjisë amerikane në Afganistan dhe mbi efektin që mund të ketë tërheqja e Shteteve të Bashkuara në këtë vend dhe në rajon. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Gary Thomas, sjell të tjera hollësi.

Shqetësime të reja po shfaqen për mundësinë e rifillimit të një lufte civile në Afganistan ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre fillojnë të planifikojnë largimin nga ky vend brenda tre vjetëve.

Analistët veçojnë si shenja rreziku intesifikimin e sulmeve të forcave talebane në qytete dhe vrasjet me objektiv të përcaktuar, siç ishte, vrasja e bujshme e ish-Presidentit afgan Burhanudin Rabani.

Profesori i Universitetit të Ushtrisë Amerikane në Pensilvani, Larry Goodson, thotë se mungesa e një përfundimi të qartë nga konflikti i tanishëm, rrit rrezikun e një rikthimi të vendit në një kaos të përgjakshëm si ai i viteve ’90.

“Unë kam frikë se një tjetër luftë civile do të pasojë. Nuk kemi parë një përfundim bindës të luftës në Afganistan. Nuk kemi parë që talebanët të jenë mboshtur plotësisht, apo që regjimi i tanishëm të jetë mposhtur dhe talebanët të vijnë përsëri në pushtet”.

Në një dëshmi të kohëve të fundit para Kongresit, ish Shef i Shtatëmadhorisë Amerikane, Admirali Mike Mullen gjithashtu paralajmëroi për mbi mundësinë e një lufte civile nëse Presidenti Hamid Karzai nuk luftonte me agresivitet korrupsionin që ka pushtuar qeverinë e tij.

“Nëse ne vazhdojmë të tërhiqemi sistematikisht ndërkohë që një korrupsion kaq i lartë mbetet i pakontrolluar, mendoj se ne rrezikojmë të lemë prapa një qeveri në të cilën populli afgan nuk mund të ketë besim. Në rastin më të mirë, kjo do të sillte konflikte të lokalizuara në pjesë të ndryshme të vendit. Në rastin më të keq, do të shkaktonte rënien e qeverisë dhe fillimin e luftës civile.”

Strategjia e Shteteve të Bashkuara synon dobësimin e talebanëve në një pikë të tillë që do t’i detyronte ata të uleshin në negociata, dhe paralelisht stërvitjen e forcave ushtarake dhe policore të qeverisë qëndrore në mënyrë që ajo të jetë e aftë të garantojë sigurinë.

Një pjesë e rëndësishme e strategjisë është realizimi i një procesi pajtimi midis qeverisë dhe të paktën disa elementëve talebanë. Por vala e fundit e sulmeve të tyre i ka bindur disa njerëz se talebanët nuk janë të interesuar të bisedojnë. Pas vrasjes së ish-Presidentit Rabani, i cili ishte kryetar i Këshillit të Lartë për Paqen, Presidenti Karzai ka hequr dorë nga bisedimet duke deklaruar se ai nuk dëshiron të flasë me talebanët.

Francesc Vendrell, ish-Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Afganistanin, thotë se procesi i pajtimit nuk ka “vdekur” por “është në komë”, siç u shpreh ai. Ai tha se vrasja e zotit Rabani i thelloi ndarjet zonale dhe etnike duke e bërë pajtimin shumë të vështirë.

“Nëse situtata qëndron e njëjtë në këto tre vjetë, mundësitë për fillimin e luftës civile janë të mëdha sepse, midis të tjerash, vrasja e zotit Rabani konfirmoi në mendjet e afganëve të veriut – pavarësisht nëse ata e pëlqenin apo jo ish-Presidentin – se talebanët janë krejtësisht kundër tyre dhe si pasojë forcoi kështu kundërshtimin e tyre ndaj një kompromisi të mundshëm me talebanët.”

Zoti Vendrell thotë se ai nuk përjashton mundësinë që talebanët të jenë thjesht duke pritur largimin e forcave amerikane dhe të NATO-s përpara se të hidhen në veprim.

Zyrtarët amerikanë deklarojnë publikisht se gjërat janë duke shkuar në favor të tyre. Në një dëshmi të fundit para Kongresit, Sekretari i Mbrojtjes Leon Paneta minimizoi rëndësinë e sulmeve të fundit, përfshi atë ndaj Ambasadës Amerikane në Kabul.

“Në vija të përgjithshme ne i konsiderojmë këto ndryshime taktikash të talebanëve si pasoja të avantazhit tonë ndaj tyre dhe si shenja dobësie të kryengritjes. Ndërsa dhuna në përgjithësi në Afganistan është në rënie, dhe në rënie të ndjeshme në zonat ku ne kemi përqëndruar sulmet tona, ne duhet gjithsesi të jemi më efektivë në ndalimin e këtyre sulmeve dhe në kufizimin e aftësisë së kryengritësve për të krijuar ndjesinë e rënies së sigurisë.”

Ndërkohë, Pakistani vazhdon të luajë një rol të debatueshëm në rajon i cili do të ndikojë në një mënyrë apo një tjetër të ardhmen e Afganistanit. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar shërbimin e zbulimit të Pakistanit se po ndihmon talebanët ose grupe të lidhura me ta, të cilët kanë ndërmarrë sulmet e kohëve të fundit. Dhe, duke thënë se ai nuk do të bisedojë me talebanët, Presidenti Karzai tha se do të merrej me Pakistanin, të cilin a i e cilësoi si “ana tjetër”. Udhëheqësi afgan më pas shkoi në Nju Dehli për të nënshkruar një marrëveshje strategjike me armikun historik të Pakistanit, Indinë.

Zoti Francesc Vendrell është i shqetësuar se manovra e Presidentit Karzai nuk do të bëjë që Pakistani të tërhiqet nga Afganistani por përkundrazi, Pakistani mund të vendosë të bëhet më aventurier atje.

“Unë mendoj se vizita do të shtojë shqetësimet e Pakistanit se India dhe Afganistani do të bashkohen për të lënë Pakistanin të vetëm në mes. Dhe nëse vërtet Afganistani do të pranojë instruktorët indianë të policisë dhe ushtrisë, kjo do të rriste edhe më tej ato shqetësime.”

Zoti Vendrell mendon se taktika që do të bindtte Pakistanin të ndryshonte politikën ndaj Afganistanit, do të ishte presioni i ushtruar nga Shtetet e Bashkura mbi Indinë për të qenë më e hapur në lidhje me çështjet midis Indisë dhe Pakistanit, sidomos për çështjen e zonës së Kashmirit. Por ajo mbetet një çështje shumë e mprehtë dhe burim i madh fërkimesh midis dy vendeve

XS
SM
MD
LG