Lidhje

Pashkët në Kosovë me manifestimin kryesor në Katedralen Nënë Tereza


Pashkët në Kosovë me manifestimin kryesor në Katedralen Nënë Tereza
Pashkët në Kosovë me manifestimin kryesor në Katedralen Nënë Tereza

Me thirrjet për paqe e tolerancë ndërmjet të gjitha komuniteteve edhe në Kosovë po kremtohen Pashkët, që simbolizojnë ringjalljen e Krishtit.

Udhëheqës politikë e fetarë kanë përgëzuar qytetarët e krishterë duke vënë theksin në thelbin e kësaj kremteje që qëndron në vepra të mira, në paqe, harmoni, dashuri e në bashkëpunim ndërmjet njerëzve. Në manifestimin qendror me rastin e kësaj festeje me Meshën e Ringjalljes në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, tha se mesazhi i Pashkëve ka në thelb thirrjet për paqe, dashuri, pajtim, jetë të drejtë, të ndershme dhe të mirë. Ai porositi se përgjegjës për paqen dhe dashurinë në Kosovë duhet të jenë vetë qytetarët, por edhe udhëheqësit e Kosovës. Ai ju drejtua zotit me lutje Zotit që ta bekojë, ta ruajë dhe ta mbushë me paqe e dashuri popullin e Kosovës.

“Nëse i kthejmë sytë në të kaluarën, atëherë, e shohim qartë se populli ynë shqiptar, është populli më i vuajturi në ndër shekuj, i cili ka përjetuar padrejtësi të shumta dhe të shpeshta, ka përjetuar përbuzje e poshtërime, ka pirë gotën më të ithtë të mizorisë njerëzore në histori. Prandaj, me të drejtë sot, gjithë ato vuajtje, padrejtësi dhe mjerime ia paraqes Krishtit të kryqëzuar dhe i lutem atij që ta bekoj këtë popull dhe ta ruaj duke e mbushur me paqe dhe dashuri”, tha Ipeshkvi Dodë Gjergji.

Pashkët paraqesin kremten më të madhe të kalendarit liturgjik të të krishterëve që shënojnë ringjalljen Krishtit sipas Besëlidhjes së Re, kishte ndodhur tri ditë pas kryqëzimit të tij.

Liturgji janë mbajtur edhe në kishën ortodokse të Kosovës. Peshkopi serb Teodosije tha pas liturgjisë në kishën e Shën Gjergjit në Prizren se është i lumtur që ishte në gjendje të bënte një gjë të tillë për herë të parë pas vitit 1999. Sipas tij, kremtimet në Prizren shtojnë shpresën për kthimin e personave të zhvendosur nga Kosova.

Kësaj radhe, si rrallëherë, Pashkët kremtohen në të njëjtën ditë, edhe nga besimtarët katolikë, edhe ata ortodoksë.

XS
SM
MD
LG