Lidhje

Pasojat e uraganit ndjehen ende në disa komunitete amerikane

  • Zëri Amerikës

Pasojat e uraganit ndjehen ende në disa komunitete amerikane

Pasojat e uraganit ndjehen ende në disa komunitete amerikane

Punonjësit e emergjencës në pjesën veri-lindore të Shteteve të Bashkuara kanë filluar furnizmin nga ajri me ushqime dhe ujë për mijëra banorë të bllokuar nga përmbytjet e shkaktuara nga uragani Iren.

Autoritetet thonë se të paktën mbi 10 komunitete në shtetin e Vermontit nuk arrihen me makinë për shkak të rrugëve dhe urave të dëmtuara nga përmbytjet më të rënda në këtë shtet në gati një shekull.

“Uji në obor është gati sa lartësia e shtëpisë ose ndoshta 6 deri 7 metra mbi nivelin normal të lumit. Pra niveli i ujit është shumë i lartë dhe as që kam shikuar një forcë të tillë më parë”, thotë banori i Vermontit, Majkëll Riçi.

Vermonti u prek më rëndë nga përmbytjet për shkak të rreshjeve të mëparshme.

Më në fund, në shtetin e New Jersey, punonjësit e emergjencës shpëtuan më shumë se 500 veta nga shtëpitë e tyre të përmbytura, disa me barka dhe disa me kamionë.

“Kjo për mua është përmbytja e dytë në 5 vjet. Në djall të vejë çdo gjë. Nuk mund të hyj në apartamentin tim për një muaj ose dy, deri sa të riparohet çdo gjë. Një gjendje tepër acaruese”, thotë banorja e Nju Xhërzit, Boni Ridik.

Kompanitë energjetike thanë se rreth 3 milion banorë të zonës verilindore bregdetare të Shteteve të Bashkuara janë pa rrymë elektrike, 3 ditë pas përfshirjes nga uragani Iren të zonës me popullsi më të dendur të Amerikës.

Iren fajësohet deri tani për vdekjen e të paktën 43 vetave në kontinetin amerikan dhe 5 të tjerëve në Karaibe.

Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Uraganëve thotë se stuhia tropikale Katia në Atlantik pritet të përforcohet sot, duke u shdëruar në uragan.

XS
SM
MD
LG