Lidhje

Nga pastrimi i parave tek sekuestrimi i pasurive


Shqipëria po përpiqet që të zbatojë më me forcë ligjin antimafia, për të sekuestruar pasuritë e grupeve kriminale. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda kërkesat për sekuestrime të pasurive të dyshimta janë duke u shtuar me dhjetëra përherë e më shumë. Vetëm vitin e fundit janë sekuestruar 5 milionë euro pasuri dhe llogari bankare, ndërsa gjithsej në disa vite janë kapur mbi 28 milionë euro pasuri të dyshimta të individëve kriminalë.



Bashkimi Europian dhe prokuroria shqiptare mbyllën sot një projekt dy-vjeçar me trajnime të hetuesve dhe policëve për të ndjekur dhe dokumentuar pastrimin e parave të pista dhe pasuritë e grupeve kriminale, sepse krahas kapjes së kriminelëve atyre u duhet hequr edhe pasuria e paligjshme që i ushqen këto qarqe.

“Mbeten ende sfida të mëdha përpara në zbatimin e ligjit antimafia - tha ambasadori i BE-së në Tiranë Etore Sequi. - Institucionet duhet të bashkëpunojnë më fort me prokurorinë në kapjen dhe dënimin e kriminelëve që përpiqet të pastrojnë paratë me një larmi biznesesh të fshehura”. Pra, policia të sjellë më shumë prova dhe drejtësia të veprojë më energjikisht kundër grupeve kriminale me prapavija kaq të fuqishme financiare.

Ndërsa Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, thotë se “Shqipëria po krijon një përvojë të re me sekuestrimet e qarqeve kriminale, por kjo praktikë kundër pastrimit të parave dhe pasurive kriminale duhet konsoliduar me më shumë kompetenca. Së fundi është kërkuar që kjo gjykatë të bëjë të dyja gjykimet; edhe personin e dyshuar edhe pasuritë e tij”.

Gjykata e Krimeve të Rënda është duke zbatuar përherë e më fort ligjin antimafia, duke marrë vendime për sekuestrimin e pasurive kriminale pasi ata shpallen fajtorë nga gjykata të tjera brenda dhe jashtë vendit. Misioni Euralius ka hedhur idenë që gjykata e krimeve të rënda të marrë si kompetencë për gjykim edhe të gjitha rastet e zyrtarëve të korruptuar, për të bërë edhe sekuestrimet e pasurive të tyre, detyrë që deri tani e kanë gjykatat e shkallës së parë.

Kriminaliteti dhe fshehja e pasurive të paligjshme janë sofistikuar mjaft dekadën e fundit, duke bërë të domosdoshme jo vetëm trajnimet e zyrtarëve shqiptarë dhe bashkëpunimin e tyre me policinë ndërkombëtare, por edhe një vendosmëri e vullnet më të madh në goditjen e grupeve kriminale, temë kryesore kjo në kërkesat e BE drejtuar Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG