Lidhje

PD prezanton pikat kryesore të programit

  • Armand Mero

Në Shqipëri partia demokratike prezantoi mbrëmë pikat kryesore të programit me të cilin do të kërkojë një mandat të tretë qeverisës. Në Konventën kombëtare kryeministri Sali Berisha premtoi hapjen e 250 mijë vende pune në katër vitet e ardhshme, tërheqjen e 6 miliard dollarëve investime të huaja dhe një regjim fiskal me zero taksa për pesë vjet për industritë e prodhimit të makinave, ndërkohë që ripërsëriti angazhimin për të vazhduar me ndërtimin e rrugëve në çdo skaj të vendit.
Të gjithë ministrat demokratë dhe figurat kryesore të partisë në pushtet u shfaqën mbrëmë në skenën e konventës kombëtare së thirrur nën moton Shqipëria e Zhvilluar. Një mori shifrash u dhanë nga secili për të evidentuar ato që partia demokratike i konsideron si sukseset e saj e për të cilat po kërkon sërish votat e shqiptarëve për zgjedhjet e 23 qershorit. Elementi i dytë që mbizotëroi ishte sulmi ndaj opozitës, madje më së shumti ndaj kryetarit socialist Edi Rama.
Kjo formulë përfaqësoi edhe skeletin e fjalës më të rëndësishme të mbrëmjes atë të kryeministrit Sali Berisha. Ai përmendi sektorët kryesoë që nga Arsimi te Shëndetësia, Bujqësia, Turizmi, Zhvillimi ekonomik dhe Infrastruktura. Ndërtimi i rrugëve ka qenë thelbi i investimeve të realizuara nga të dy qeveritë e kryeministrit Sali Berisha. Socialistët e kanë konsideruar të gënjeshtërt shifrën prej mbi 10 mijë kilomera rrugë që qeveria deklaron se ka shtruar e ndërtuar, dhe i kanë sfiduar demokratët duke u kërkuar që ata të bëjnë publike listën me të gjitha rrugët që pretendojnë se kanë realizuar. Kundërpërgjigja e mbrëmshme e kryeministrit u shoqërua me sulme ndaj zotit Rama.

“Mjeran! I shkretë, i padijshëm nga punët shtetërore. Ke qenë kryetar bashkie, o piktor i dështuar. E ke lënë qytetin tonë me 250 kilometra rrugë e rrugica të paasfaltuara. Mësoje këtu, njeri i shkretë, i varfër, i mjerë në ide, se çdo rrugë ndërtohet me një projekt, se çdo rrugë ndërtohet mbi një preventiv, se çdo preventiv zbatohet me një financim dhe se vetëm Fondi Shqiptar i Zhvillimit, o shoku i autobusit, me 320 milionë dollarë ka ndërtuar 1520 kilometra rrugë”.
Premtimet kryesore për katër vitet e ardhshme kryeministri i përmblodhi në grup në fund të fjalës së tij: “Ne jemi këtu për të garantuar shqiptarët se 4 vitet që vijnë do të krijojmë në mbarë vendin 250 mijë vende të reja pune; se 4 vitet që vijnë ky vend do të tërheqë 6 miliardë dollarë investime të huaja; se 4 vitet që vijnë do të trefishohen grantet dhe mbështetja për fermerët shqiptarë; se 4 vitet që vijnë do të arrijë në 7 milionë numri i turistëve në Shqipëri; se 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të zbarkuar në Shqipëri gjigandët e High Tech-ut dhe industrisë së makinave, me regjim fiskal pesë vjet pa asnjë taksë, pa asnjë detyrim tatimor”.
Zoti Berisha e mbylli fjalën e tij duke premtuar përshpjetimin e integrimit europian të vendit:

“Vitet që vijnë janë vitet vendimtare për projektin tonë të integrimit evropian, që përbën dhe kolonën kryesore të Shqipërisë së zhvilluar. Ne sëbashku do të marrim statusin, do të hapim negociatat, do të ecim krenarë, dinjitozë, të vendosur drejt Evropës, drejt Bashkimit Evropian”.
Nga ana e tyre edhe socialistët, prej shumë kohësh që kanë paraqitur piketat e programit të tyre i cili në thelb ka një sistem të ri fiskal, me aplikimin e taksës progressive, me lehtësira për bujqësinë, reduktimin e taksimit të ushqimeve dhe energjisë, një sisitem shëndetësor falas, ndërhyrje të forta në sistemin arsimor, zhvillimin e infrastrukturës dhe më shumë rend e siguri.

Në ftesën e tyre për qytetarët socialistët shprehen se më 23 qershor votuesit “duhet të zgjedhin për të dalë nga tuneli i rrënimit të vazhdueshëm”, sic shprehen ata e “për të parë dritën e Rilindjes Shqiptare”, termi që përbën edhe logon e fushatës së tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG