Lidhje

Demokratët votojnë për pasuesin e Berishës


Zgjedhja mes Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit. Votimi qëndron i hapur deri në orën 19.00. Probleme me listat në disa qytete. Numërimi do të bëhet në Tiranë

Në Shqipëri, anëtarët e partisë demokratike hapën sot procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të tyre, pas dorëheqjes së zotit Sali Berisha si pasojë e humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Demokratët do të duhet të zgjedhin mes kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe ministrit të Transporteve Sokol Oldashi, të cilët për 19 ditë me radhë zhvilluan fushatë pranë të gjitha degëve të partisë.

Votimi ka nisur që në orën 8 të mëngjesit, por procesi ka hasur në disa qytete në probleme kryesisht me listat e anëtarësisë, ku ka patur raste që anëtarët e partisë nuk e kanë gjetur emrin e tyre e për pasojë nuk kanë mundur të votojnë. Janë 39 qendra votimi në të gjithë vendin.

Në Tiranë, drejtuesit kryesor të partisë votuan në selinë qendrore. Kryetari i dorëhequr Sali Berisha foli për një moment historik për partinë duke qenë se për herë të parë zbatohet parimi një anëtar një votë. Duke përshëndetur anëtarësinë, zoti Berisha tha se do të mbetet njëri prej tyre dhe se do të angazhohet “për të bërë gjithçka që në një fillim të ri të fuqishëm të Partisë Demokratike ajo ta shndërrojë garën e parë të saj në një fitore të thellë”.

Kandidati Lulzim Basha votoi rreth mesditës, ndërsa rivali i tij Sokol Olldashi ka njoftuar se do të votojë pak para mbylljes së procesit, rreth orës 19.00. Të gjitha kutitë e votimit do të grumbullohen në Tiranë, dhe procesi I numërimit do të nisë vetëm pasi në kryeqytet do të mbërrijë edhe kutia e fundit. Eshtë parashikuar se do të jenë 10 grupe numërimi. Rezultati përfundimtar vështirë se do të mund të dalë para së martës së ardhshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG