Lidhje

Sot dita e fundit për kandidaturat e kreut të PD


Partia Demokratike, e kthyer sërish në opozitë, mbyll sot afatin kur pret politikanët e saj që të kërkojnë kandidimin për postin vakant të kryetarit pas dorëheqjes nga detyrat partiake të kryeministrit Sali Berisha. Qyshkur ai pranoi humbjen e zgjedhjeve dhe shpalli largimin e vet nga drejtimi i PD-së, gjatë kësaj jave vetëm dy politikanë të rëndësishëm të saj kanë dorëzuar kërkesat për kandidim. I pari u paraqit ministri aktual i punëve publike, Sokol Olldashi dhe më pas kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. Në media janë dëgjuar edhe emra të tjerë më pak të rëndësishëm, dhe ata mund të jenë në fletën e votimit një anëtar një votë, por jo si kandidatë të miratuar zyrtarisht nga kryesia e PD-së.

Zotërinjtë Olldashi e Basha u paraqitën njëlloj në zyrat qendrore të partisë së tyre, dorëzuan projektet e tyre dhe kërkesën për kandidim, dhe mbajtën nga një deklaratë për shtyp, ku theksuan njëlloj nevojën për një fillim të ri në PD, që ajo të kthehet me dinjitet në pushtet, krenare për qeverisjen e deritanishme dhe ndihmesën e shquar që ka dhënë kryetari i saj Sali Berisha. Mjaftoi vetëm një javë që e gjithë anëtarësia e PD-së dhe politikanët kryesorë të saj të reflektojnë për humbjen e thellë të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe të nxjerrin vetëm dy kandidatura drejtuesish në rrugën e reformimit.

Deputetët Olldashi dhe Basha shënuan karriera të shpejta partiake e shtetërore në dy mandatet qeverisëse të PD, duke spikatur si dy prej figurave më besnike të kryeministrit Berisha dhe më të mbështeturat prej tij. Zoti Olldashi ishte ministër i brendshëm, kandidati humbës i PD-së për kryebashkiak i Tiranës përballë kryetarit të opozitës Edi Rama, që e mbante atë post dhe aktualisht është ministër i punëve publike e transporteve. Zoti Basha ishte ministër i punëve publike, ministër i jashtëm, ministër i brendshëm dhe në fund la sallën e parlamentit e u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës me një diferencë të ngushtë votash përballë zotit Rama, i cili kërkoi mandatin e tretë për kryebashkiak.

Të dy kandidatët kanë një përballje të drejtpërdrejtë në zgjedhje bashkiake me kryeministrin e ardhshëm Edi Rama. Po ashtu ata janë anëtarë të kryesisë së PD-së me rezultate të dobëta në zonat e fushatës zgjedhore, ku krahas zotit Berisha, dy nënkryetarët Jozefina Topalli e Astrit Patozi si dhe sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode deklaruan se nuk kandidojnë për postin e kryetarit, sepse ndjejnë përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve të 23 qershorit. Kandidatët Olldashi e Basha kanë të njëjtit vlerësim ndaj zotit Berisha, udhëheqësit shumëvjeçar të PD-së, dhe ndaj trashëgimisë së kësaj partie në vite, ata kanë të njëjtën ambicje për kthim të shpejtë të partisë së tyre në pushtet përmes një opozite të fortë dhe bashkim të së djathtës.

E vetmja pikë ku ata dallojnë disi është pjesëmarrja aktuale në parlament. Ministri Olldashi, 4 herë deputet, tha se synon të rindërtojë themelet morale, mbi të cilat PD do të duhet të rikthehet në pushtet. Ndërsa kryebashkiaku Basha nuk është deputet në sallën e parlamentit, dhe nëse fiton, do ta drejtojë grupin parlamentar nga bashkia, ashtu si bëri për shumë vite edhe kryetari i PS-së dhe kryebashkiaku Rama. Ai premtoi në 2011 kur u zgjodh në krye të bashkisë së Tiranës, se do të qëndronte larg betejave politike, për t'iu përkushtuar vetëm punëve të kryeqytetit, ndërsa tani deklaroi se do të përmbushë premtimet e bëra qytetarëve të Tiranës, dhe se angazhimet partiake nuk do ta largojnë për asnjë çast prej tyre.

Afati për paraqitjen e kandidatëve mbaron sot, kryesia e PD-së do t’i shqyrtojë e do të përcaktojë rregullat e garës. Kryetari i ri i PD-së do të zgjidhet sipas parimit një anëtar një votë, proces që shndërrohet për herë të parë si një sfidë për të shfaqur demokracinë e brendshme të kësaj partie, aq shumë të kritikuar.
XS
SM
MD
LG