Lidhje

Tiranë, opozita kritika për reformën në drejtësi


Në Tiranë, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike e opozitës ende nuk po gjejnë mirëkuptimin për të votuar bashkarisht paketën ligjore të reformës në sistemin e drejtësisë.

Një ditë pasi deputetët e majtë mblodhën firmat për t'i dërguar ndryshimet kushtetuese e ligjore në Parlament, opozita tha se ky veprim i njëanshëm është një provokim i ulët, që përshkallëzon krizën dhe tensionin shoqëror.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pohoi përmes një deklarate se kryeministri Edi Rama po kërkon kapjen e drejtësisë me çdo kusht për të mbrojtur shkelësit e ligjit në administratën e tij.

Zoti Basha tha se kjo manovër do të dështojë me turp dhe se çdo përpjekje për të blerë vota nga deputetët do të sjellë djegien e mandateve opozitare.

Sipas opozitës, rruga e vetme për reformën në drejtësi është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit te Venecias.

Komisioni parlamentar për reformën në drejtësi miratoi paketën e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa deputetët e opozitës braktisën votimin.

SHBA dhe BE deklaruan se mirëpritnin këtë miratim dhe u bënë thirrje deputetëve që të votonin me ndërgjegjen e tyre pro kësaj reforme, si një akt pro integrimit europian të Shqipërisë.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG