Lidhje

Ende asnjë emër zyrtar për kreun e PD


Nënkryetari Patozi: "Partisë i duhet një garë e fortë, reale dhe jo fiktive. Unë nuk do të kandidoj". Olldashi takohet me Berishën.

Në Shqipëri, nuk ka ende një kandidat zyrtar për garën për kryetar të partisë demokratike. Nënkryetari I kësaj partie Astrit Patozi tha sot se ai vetë nuk do të përfshihet por shtoi se demokratëve u duhet një garë e fortë reale dhe jo fiktive. Ndër emrat më të lakuar mbeten ai i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe ministrit të Transporteve Sokol Olldashi i cili pati sot edhe një takim me zotin Berisha

PD, ende pa kandidat zyrtar për kryetar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00

Të premten e kaluar demokratët hapën garën për kryetarin e tyre të ri, njeriun që do të pasojë udhëheqësin historik të së djathtës, zotin Sali Berisha i cili dha dorëheqjen pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Figurat drejtuese të kësaj partie, nënkryetarja Jozefina Topalli dhe sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode deklaruan që në fillim se nuk do të përfshihen në garë. Këtë e pohoi sot edhe nënkryetari tjetër Astrit Patozi: “Unë jam pjesë e përgjegjësisë, sepse jam skalioni i dytë, dhe në castin që kryetari i partisë merr të gjitha përgjegjësitë, sigurisht pas atij më takon edhe mua të marr përgjegjësitë e mia. Dhe duke e ndjerë vetën pjesë e kësaj përgjegjësie nuk jam pjesë e këtij procesi dhe nuk kandidoj për kryetar partie”.

Zoti Berisha deklaroi në mbledhjen e kryesisë pak ditë më parë se ai do të mbajë një qëndrim asnjanës në garë, ndërsa pritet të rikonfirmojë këtë qëndrim edhe në mbledhjen e ardhshme, ditën e premte ku të njejtën gjë mund ta kërkojë edhe nga gjithë anëtarët e kryesisë.

Sipas zotit Patozi jo thjesht emri i kryetarit, por ekipi i ri drejtues që do të dalë nga procesi, do të jetë ai që do të japë imazhin e ri të ringritjes dhe fitoren e ardhshme të PD, prandaj sipas tij është shumë e rëndësishme dhe mënyra se si do të zhvillohet gara, ku këtë herë kryetari do të zgjidhet direkt nga anëtarësia. “Mendoj se PD në këtë fazë ringritjeje ka nevojë për një garë të fortë dhe reale po aq sa dhe lojë të ndershme brenda llojit. Ne mbyllëm një cikël të jashtëzakonshëm, të pranimit të autoritetit të fortë të zotit Berisha i cili pati një bilanc fantastic. Por tek e fundit me dëshirën e zotit Berisha ky cikël përfundoi dhe unë mendoj se kryetari i ri duhet të ketë një mandat të fortë që del nga një garë reale dhe jo fiktive", shprehet zoti Patozi.

Për momentin nuk ka asnjë emër zyrtar, ndërsa ndër pretendetët më të mundshëm duket se mbetet ende kryetari aktual I Bashkisë Lulzim Basha i cili edhe sot nuk pranoi të shprehej mbi këtë cështje. Përvec tij, një kandidat i fortë shihet edhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi i cili sot ka patur edhe një takim me zotin Berisha.
XS
SM
MD
LG