Lidhje

I dyshuari për pedofili, s’ka akuzë për vrasje

  • Armand Mero

Prrenjasi ka pranuar vrasjen e 11 vjecarit Cela, por prokuroria nuk ka ende prova. Pa rezultat kërkimet për trupin. Polemika e protesta mbi funksionimin e institucioneve të Drejtësisë dhe Rendit

Në Shqipëri gjykata e Tiranës konfirmoi sot arrestin në burg të Ardian Prrenjasit, 45 vjecarit të akuzuar për marrëdhënie homoseksuale me dhunë me të mitur. Ndërkohë prokuroria nuk ka ngritur ende akuzë për dyshimet për vrasjen e një tjetër fëmije 11 vjecar të zhdukur që prej dhjetorit të kaluar, të cilën vetë Prrenjasi e ka pranuar. Ngjarja e cila ka tronditur opinionin ka rihapur debatet për ndëshkime më të ashpra, deri rikthimin e dënimit me vdekje si dhe polemika mbi funksionimin e institucioneve të ligjit dhe sigurisë në vend



Përvec thënieve të Ardian Prrenjasit prokuroria nuk ka ende në dorë asnjë provë për vrasjen e 11 vjecarit Cela, i cili u zhduk katër muaj më parë. Kërkimet edhe sot në vendgrumbulimin e mbetjeve urbane në periferi të TIranës, ku sipas rrëfimeve të Prrenjasit duhet të gjendet trupi i të miturit të cilin ai thotë se e ka vrarë, nuk kanë sjellë në dritë asnjë rezultat. Hetimet për këtë pist do të vazhdojnë ende, në pritje edhe të disa analizave të AND-së, ndërkohë që për momentin Prrenjasi do të qëndrojë në burg nën akuzën e kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të mitur, pasi u kap të dielën në banesën ku jetonte me qera në prani të një tjetër fëmije.

Rasti i të akuzuarit për pedofili dhe dyshimet për vrasjen e 11 vjecarit, kanë hapur një debat të fortë që po vazhdon prej ditësh, e ku kanë ngritur krye edhe propozime për rikthimin e dënimit me vdekje. Por kryeministri Sali Berisha tha sot se edhe aty ku ekziston dënimi me vdekje nuk është provuar se ka patur një ulje të kriminalitetit, ndërkohë që kujtoi se Shqipëria është edhe anëtare e Këshillit te Europës: “Revolta shpirtërore është e ligjshme, objektiviteti duhet të na udhëheqë. Shqipëria nuk mund të bëjë hapa të cilat e nxjerrin atë jashtë Këshillit të Europës. Procesi i integrimit, luftimi i shkaqeve të thella të kriminalitetit pa diskutim është më i mundshëm në procesin e integrimit të plotë të vendit”.

Polemikat janë ndezur edhe rreth funksionimit të institucioneve të drejtësisë dhe rendit, pasi u mësua se Prrenjasi kishte patur edhe më parë precedentë me fëmijë dhe i kishte shpëtuar para disa vitesh burgut, vetëm me një gjobë.Por kryeminisri Berisha doli sot në mbrojtje të institucioneve, ndërsa njoftoi se mbledhja e sotme e qeverisë do të miratonte një paketë për forcimin e ndëshkimeve për rastet e vrasjes dhe dhunës në familje: “Të vësh në shënjestër një institucion i cili ka në mënyrën më të hapur , në mënyrën më transparente, shkallën më të lartë të zbulimit dhe të ndëshkimit do të thotë ose je i verbër dhe fanatik, ose nuk ke nocionet më elementare se cili është funksionimi i shtetit ligjor, cilët janë treguesit e funksionimit të tij. Natyrisht ka vend për ta përmirësuar”.

Socialistët këmbëngulin se ngjarja e fundit tregon në fakt se sa e rënduar është situata e rendit në Shqipëri, sa i paaftë e i kalbur është i gjithë sistemi i drejtësisë dhe rendit që supozohet të garantojnë qytetarët shqiptarë, deklaroi sot deputetja Eglantina Gjermeni: “Ky krim, që ne lutemi të mos përsëritet kurrë më, nuk është thjesht vepër e një mendjeje të sëmurë. Ky krim është një përgjegjësi e të gjithë shtetit, e sistemit të drejtësisë e organeve të rendit që siç ndodh rëndom në Shqipëri nuk bënë absolutisht asgjë për ta parandaluar”.

Edhe disa dhjetra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan përpara zyrave të presidentit të vendit për të kërkuar që sistemi i drejtësisë të funksionojë dhe që ligjet të zbatohen si dhe për të zgjuar një reagim më të fortë të shoqërisë ndaj cështjeve të tilla. Edhe Komiteti shqiptar i Helsinkit ndërsa shprehu shqetësimin për rritjen e krimeve ndaj të miturve thekson se “situata kërkon një vëmendje më të madhe nga strukturat e shtetit por edhe nga familjet dhe shoqëria shqiptare”.
XS
SM
MD
LG