Lidhje

Pekini bëhet gati për Kongresin Kombëtar të Partisë Popullore

  • Stephanie Ho

Pekini bëhet gati për Kongresin Kombëtar të Partisë Popullore

Pekini bëhet gati për Kongresin Kombëtar të Partisë Popullore

Ndërsa Kina përgatitet për hapjen e punimeve të Kongresit Kombëtar të Popullit të shtunën, qeveria thotë se ruajtja e qëndrueshmërisë sociale është shqetësimi i saj kryesor.

Në një bisedë të fundit online me popullin kinez, kryeministri Wen Jiabao tha se një nga mënyrat që qeveria shpreson të parandalojë problemet sociale është të ndihmojë të varfërit.

Zoti Wen tha se çështja e rritjes së standartit të jetesës do të jetë pika parësore e çdo regulloreje në planin e ardhshëm pesë vjeçar të vendit nga viti 2011 deri në vitin 2015.

Gjatë sesionit një javor, asambleja do të japë miratimin përfundimtar të planit. Aty parashtrohen synimet e Partisë Komuniste për vendin. Programi është miratuar tashmë në një takim të udhëheqësve të partisë vitin e kaluar.

Qeveria tha se në 2009, gati 36 milionë njerëz jetonin nën nivelin e varfërisë me gati 180 dollarë në vit për person, ose gati 49 cent në ditë. Kjo është një e treta e shumës që Banka Botërore ka vendosur si pragun e varfërisë, që do të klasifikonte gati 150 milionë kinezë si shumë të varfër.

Kryeministri la të kuptohet se qeveria ka gjithashtu në plan të luftojë dy probleme sensitive politike – korrupsionin dhe inflacionin.

Wen thotë se për shkak se inflacioni ndikon jetët e njerëzve, ai mund të ndikojë stabilitetin social dhe qeveria kineze po shqyrton stabilitetin e çmimeve si një çështje madhore.

Inflacioni në janar ishte 4 presje 9 për qind por çmimet e ushqimit u rritën më shumë se 10 për qind.

Profesori i politikave publike Huang Jing në Universitetin e Singaporit mendon se lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Ai thotë:

“Për ta, zgjedhja është në fakt shumë e vështirë por shumë e thjeshtë – do të gjesh vdekjen nga korrupsioni ashtu si nga kanceri ose do ta luftosh atë. Problemi për ta tani është cilën pjesë të presin pikë së pari”.

Huang thotë se ndër problemet e tjera madhore për qeverinë është rritja e hendekut të pasurisë, ndërkohë që në qytete njerëzit fitojnë tre herë më shumë sesa bashkëkombasit e tyre që jetojnë në zonat rurale. Ai thotë se Kina ka grumbulluar pasuri gjatë 30 vjetëve të hapjes ekonomike, por ka nevojë për reforma politike nëse kërkon të shpërndajë pasurinë në mënyrë më të barabartë mes popullësisë.

Qeveria kineze i barazon reformat politike me paqëndrueshmërinë sociale dhe kështu ka bërë përpjekje të mëdha për të frenuar thirrjet e publikut për më shumë përgjegjshmëri të qeverisë.

Sigurimi i rreptë në qytete në mbarë Kinën i ka dekurajuar njerëzit të mblidhen për të kundërshtuar padrejtësinë dhe të shprehin simpati me Revolucionin Jasmin që po përhapet në Lindjen e Mesme.

Në një përpjekje për protestë të djelën në Pekin, forcat e sigurisë rrahën dhe kërcënuan gazetarët e huaj që u përpoqën të mbulonin ngjarjen.

Një aktiviste në Pekin që kërkoi që emri i saj të mos përmendej, tha se do të merrte pjesë në protesta, nëse autoritetet nuk do ta kishin bllokuar në një hotel një ditë përpara demonstratës së planifikuar. Ajo thotë se mund të bëjë telefonata por nuk mund të largohet.

Aktivistja thotë se policia e ka informuar se do të lirohet më 20 mars, pasi të ketë përfunduar Kongresi Kombëtar i Popullit.

Disidenti Bao Tong është ish zyrtari më i lartë i burgosur pasi kundërshtoi përdorimin e forcës kundër portestuesve pro-demokracisë në Sheshin Tienanmen në vitin 1989.

Ai e sheh reagimin e policisë si një shenjë të nervozitetit të qeverisë rreth disidentëve.

Zoti Bao thotë se mendon se qeveria nuk duhet të jetë nervoze dhe duhet që energjitë t’i angazhojë për të zgjidhur problemet e vendit.

XS
SM
MD
LG