Lidhje

Pekini mund të vendosë mbi suksesin e sanksioneve ndaj Iranit


Pekini mund të vendosë mbi suksesin e sanksioneve ndaj Iranit
Pekini mund të vendosë mbi suksesin e sanksioneve ndaj Iranit

Suksesi i sanksioneve të vendeve perëndimore kundër industrisë së naftës të Iranit mund të varet nga Kina, importuesja më e madhe e naftës iraniane. Një vizitë e kohëve të fundit nga kryeministri kinez, Wen Jiabao në Gjirin Persik e bëri të qartë se Pekini po i vë në plan të parë interesat e veta.

Teherani ka kërcënuar të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në përgjige të shtimit të sanksioneve ndaj naftës së tij. Ndërprerja e eksporteve iraniane mund të përbëjnë kërcënim për ekonominë kineze. 11 për qind e naftës së saj vjen nga Irani. Rreth 40 për qind e naftës së tregëtuar në gjithë botën çdo ditë kalon nëpër ngushticën e Hormuzit, përfshirë edhe gati një të tretën e importeve kineze.

Sigurimi i furnizimeve të energjisë ishte një prej çështjeve në krye të rendit të ditës së vizitës së kryeministrit kinez Wen gjatë turneut të tij të fundit në vendet e Gjirit Persik, i cili rezultoi në një numër partneritetesh prej miliarda dollarësh me vendet arabe. Mes tyre janë një marrëveshje e përbashkët për ndërtimin e një rafinerie nafte në bregdetin e Detit të Kuq të Arabisë Saudite.

Planet për këtë projekt kishin filluar para disa muajsh, por analistët thonë se koha e arritjes së marrëveshjes zyrtare ishte një sinjal për Iranin.

Ajo u arrit pasi zyrtarët sauditë, gjithnjë e më shumë të shqetësuar nga kërcënimi që përbën programi bërthanmor i Iranit për sigurinë rajonale, thanë se do të plotësonin çdo shtim të kërkesave kineze për naftë si pasojë e pakësimit të eksporteve iraniane.

Fuqitë perëndimore janë të bindura se programi bërthamor i Iranit ka për qëllimin zhvillimin e armëve, por Teherani insiston se ky program ka vetëm qëllime paqësore.

Sipas Jason Naselli, redaktori menaxhues i Komunitetit Atlantik, mbërritja e zotit Wen në Rijad, pas njoftimit saudit, ishte një goditje për sunduesit e Iranit.

"Ata duhet të jenë mjaft të shqetësuar. Kinës nuk i intereson kjo ndërhyrje e tepruar e huaj, por nuk është as në interesin e saj që Irani të bëhet një shtet bërthamor, prandaj mendoj se Teherani duhet të arrijë në konkluzionin se ka një pikë ku mbaron mbështetja e Kinës për të".

20 për qind e eksporteve të naftës iraniane përfundojnë në Kinë. Disa analistë thonë se kjo e bën të vështirë për Kinën që të mbështesë plotësisht sanksionet ndërkombëtsre në rritje kundër Iranit. Jonas Parello-Plesner është bashkëpuntor i lartë shkencor në Këshillin Evropian mbi Marrëdhënit me Jashtë.

"Kemi të bëjmë me një situatë të ndërlikuar. Mund të thuhet se Kina dhe Irani kanë një shqetësim të përbashkët rreth programit bërthamor të Teheranit, por kinezët nuk janë aspak të gatshëm të vihen krahas Shteteve të Bashkuara dhe Evropës lidhur me këtë çështje".

Zoti Naselli i Komunitetit Atlantik vë në dyshim gadishmërinë e Kinës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara.

"Ka më shumë të ngjarë që Kina të insistojë në zgjidhjen e saj se sa të bëhet pjesë e një zgjidhjeje perëndimore".

Duke i dhënë fund turneut në Lindjen e Mesme, gjatë të cilit ai nuk ndaloi në Iran, zoti Wen nuk u kushtoi rëndësi shqetësimeve lidhur me tregëtinë e naftës mes Kinës dhe Republikës Islamike. Por ai u shpreh kundër zotërimit nga Irani të teknologjisë për prodhimin e armëve bërthamore dhe kërcënimeve të Teheranit për të mbylluar Ngushticën e Hormuzit.

Shaun Breslin, profesor i studimeve politike dhe ndërkombëtare në Universitetin Warwick, thotë se turneu i kryeministrit Wen pason një ndryshim të vogël në politikën e jashtme kineze, që për herë të parë u vu re kur Pekini mbështeti lëvizjen opozitare vitin e kaluar në Libinë e pasur me naftë.

"Sa më shumë interesa ekonomike që Kina mund të ketë në pjesë të ndryshme të botës, aq më shumë ajo synon t’i mbrojë këto interesa dhe të vejë në pikpyetje disa prej parimeve të saj bazë të mos ndërhyrjes".

Ndërsa shtohet etja e Kinës për naftë, ka të ngjarë që Pekini të heqë dorë nga politika e saj tradicionale e mos ndërhyrjes. Madje analistët e energjisë, si Glada Lahn i institutit britanik për çështjet ndërkombëtare, Chatham House, thotë se Kina po bëhet gjithnjë e më e etur

"Kërkesat e Kinës për naftë po rriten me 5 deri 6 për qind në vit dhe ajo nuk mund ta përballojë këtë kërkesë me burimet e brendshme, prandaj varet gjithnjë e më shumë tek eksportet, veçanërisht nga Lindja e Mesme".

Megjithë nevojën në rritje për naftë, Pekini nuk ka nënshkruar ende një marrëveshje të re furnizmesh me Iranin. Përkundrazi kinezët po përpiqen të përfitojnë nga vështirësitë e Iranit si pasojë e sanksioneve për të negociuar çmime më të ulëta. Vënia e interesave të Kinës në plan të parë do të shtojë edhe më shumë presionin mbi ekonominë e Iranit, thonë analistët, duke ndihmuar kështu perëndimin që t’i bëjë presion Teheranit për të braktisur programin e tij bërthamor.

XS
SM
MD
LG