Lidhje

Pelegrinazh bektashi në malin e Tomorrit

  • Ilrian Agolli

Mijëra besimtarë bektashi kanë nisur prej 3 ditësh pelegrinazhin e përvitshëm për nder të Imamit Abaz Aliu

Besimtarët bektashi të Shqipërisë po nderojnë me një pelegrinazh pesëditor në malin e Tomorrit imamin Abaz Aliu, një nga themeluesit e fesë së tyre. Gjatë kësaj jave mijëra besimtarë janë ngjitur si çdo vit në malin e njohur të Skraparit për të ndjekur ritualet e shenjta dhe për të vizituar objektet e rralla të kultit; tyrbe dhe teqe në majat më të larta shkëmbore të Shqipërisë.


Mijëra besimtarë bektashi shqiptarë kanë nisur prej 3 ditësh pelegrinazhin e tyre të përvitshëm në malin e Tomorrit, duke vizituar tyrben e Kulmakut dhe duke bërë rituale të shenjta në nderim të Abaz Aliut. Besimtarët kanë ngritur tenda të shumta në pllajat e malit mbi 2 mijë e 400 metra mbi nivelin e detit dhe rreth 200 km rrugë në juglindje të kryeqytetit shqiptar. Për pesë ditë rresht, deri të shtunën, besimtarët po vizitojnë vendet e shenjta, po ndjekin ritualet e festës së Abaz Aliut dhe po dëgjojnë fjalimet e klerikëve të tyre mbi historinë e shenjtërimit të baba Tomorrit dhe veprat e shenjtorëve bektashi në të mirë të njerëzve.


Ritet shumëshekullore të besimit bektashi për festën e Abaz Aliut përfshijnë ndezjen e qirinjve në vendet e shenjta, dhurimin e të hollave pranë objekteve të kultit, flijimin e një deleje apo qingji dhe ndarjen e ushqimit midis besimtarëve. Këto festime po kryhen sipas traditave, që u rikthyen pas disa dekadave të ndalimit të fesë nga diktatura komuniste.


Udhëtimi i besimtarëve në këtë pelegrinazh ka nisur qysh të hënën dhe mbyllet të shtunën. Njerëzit besojnë se mbarësia e familjeve të tyre shtohet me këto vizita të vazhdueshme në malin e shenjtë të Tomorrit, dhe duke marrë prej tij si suvenir copa gurësh, dheu dhe shenja të kurbanëve për t'i ruajtur në shtëpi.


Ashtu si ndodh edhe me festat e besimeve të tjera, edhe në pelegrinazhin e përvitshëm të baba Tomorrit, harmonia fetare vlen për t'u shënuar. Besimtarë të feve të tjera i urojnë bektashinjve festën e Abaz Aliut dhe madje jo pak prej tyre marrin pjesë në pelegrinazh bashkë me ta. Bashkëjetesa fetare është një tipar shumëshekullor i shoqërisë shqiptare. Përveç ndalimit të fesë nga regjimi komunist, vrasjes dhe burgosjes së klerikëve dhe shkatërrimit të qindra kishave, xhamive e teqeve, Shqipëria nuk ka shënuar në historinë e saj asnjë konflikt ndërfetar mes njerëzve, dhe qeveritë janë kujdesur për liritë fetare dhe për të mbrojtur këto vlera tradicionale të popullit shqiptar.

XS
SM
MD
LG