Lidhje

Pemët flasin për mbijetesë në ekranin e madh

  • Rosanne Skirble

Regjisori francez Luc Jacquet meritoi famë botërore me dokumentarin e tij, fitues i Çmimit Oskar në vitin 2005, “Marshimi i pinguinëve”. Tani Jacquet kthehet në ekranin e madh me një film të ri që e zhvendos shikuesin në zemër të një pylli tropikal, jo vetëm për të treguar madhështinë e vendit, por dhe për të trajtuar mbijetesën e tij.

Dokumentari “Once Upon a Forest” hapet me pamjet e kurorës së një peme Moabi gjigante, pranë lumit Kongo të Gabonit. Botanisti i njohur francez Francis Halle shfaqet i ulur mbi një degë, duke vizatuar. Ai dhe regjisori Luc Jacquet kaluan pesë muaj në Gabon dhe Peru për të realizuar filmin. Zoti Jacquet mësoi atë që studiuesi Halle ka predikuar për dekada të tëra, që pemët kanë mënyrën e tyre për të të jetuarit.

"Kur mendon në këtë mënyrë, zbulon një univers të ri. Është interesante sepse në atë moment fillon të mendosh se nuk janë kafshët mbretërit e pyllit. Pylli mbretërohet nga pemët."

Dokumentari i Luc Jacquet tregon me pamjet e tij historinë e jetës së një pylli tropikal, ku ngjarjet natyrore shpalosen në qindra vjet. Ai e përshpejton kohën në film duke ndërthurur filmime reale me vizatimet e Francis Halle.

"Nisemi nga zeroja dhe udhëtojmë nëpër shekuj së bashku me pemët, për t’i parë pemët në pyll në një këndvështrim tjetër, që të mund të dallojmë mes asaj që mund të shohim vërtet dhe asaj që imagjinojmë."

Të gjitha bimët dhe kafshët në pyll janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Luc Jacquet thotë se pemët e mbajnë në ekuilibër këtë familje, që është gjithmonë duke u zgjeruar dhe ndryshuar, me anë të një gjuhe të përbashkët.

"Ne e dimë se pemët nuk flasin me fjalë, ato flasin me aroma dhe janë në gjendje t’i ndërthurin këto aroma si fjalët që përbëjnë një tekst dhe kështu ato mund të shkëmbejnë mesazhe. Pemët janë në gjendje të ndryshojnë sjelljen e kafshëve me anë të këtyre substancave."

Madje ndikojnë dhe motin. Zoti Jacquet pozicionon ekipe natyralistësh dhe fotografësh për të kapur skenat delikate të natyrës. Në vende ku nuk mund të shkojë, ai dërgon avionë të vegjël pa pilot. Ai thotë se të ecësh mbi tokat e pashkelura dhe të ndjekësh ritualet e përditshme ndërsa shpalosen, të zgjon ndjesinë e të qenit njeri.

"Ka diçka shumë të lashtë në trurin tonë. Kjo është vetëm një ide, por unë mendoj se thellë ne jemi krijuar për të qenë atje."

Dhe nëse njerëzit mund të ndërtojnë këtë lidhje me natyrën, thotë regjisori Jacquet, duke e parë veten si pjesë të pyllit e jo si diçka të jashtme për të, do të ishim një hap më pranë shpëtimit të pyllit, në vend që të ndikonim në humbjen e tij. Dokumentari “Once Upon a Forest” po shfaqet në festivale filmash në të gjithë botën, është në kinematë komerciale të Evropës dhe do të shihet më vonë gjatë këtij viti në Azi dhe Amerikën Latine.

XS
SM
MD
LG