Lidhje

Pence: SHBA, “të palëkundura” në përkushtimin ndaj NATO-s


Nënpresidenti amerikan, Mike Pence u tha sot pjesëmarrësve në Konferencën e Sigurisë në Mynih se Shtetet e Bashkuara janë të palëkundura në përkushtimin e tyre ndaj aleancës euroatlantike. Ai gjithashtu përsëriti kërkesën e Presidentit amerikan se vendet anëtare të NATO-s duhet të përmbushin detyrimet e tyre për mbrojtjen e përbashkët.

Nënpresidenti Pence tha se SHBA-ja do të qëndrojë në krah të Evropës sot dhe gjithmonë, por ai u tha udhëheqësve të mbledhur se vendet evropiane nuk po paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e përbashkët.

“Premtimi për të përballuar së bashku mbrojtjen tonë nuk është përmbushur për shumë kohë nga shumë anëtarë, duke dëmtuar kështu themelin e aleancës sonë. Edhe nëse vetëm një vend aleat nuk bën pjesën që i takon, kjo dëmton aftësitë tona për t’i ardhur njëri-tjetrit në ndihmë.”

Zoti Pence tha se Presidenti i Shteteve të Bashkuara pret nga aleatët që të mbajnë fjalën, të përmbushin premtimet e tyre, pasi ka ardhur koha që të bëjnë më shumë.

Nënpresidenti Pence foli edhe për konfliktin që po zhvillohet në Ukrainën Lindore.

“Për sa i përket Ukrainës, ne duhet ta mbajmë Rusinë përgjegjëse dhe të kërkojmë që të respektojë marrëveshjet e Minskut, duke filluar me uljen e dhunës në Ukrainën lindore. Dhe të dini një gjë: Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta konsiderojnë Rusinë përgjegjëse edhe ndërsa jemi në kërkim të pikave të përbashkëta, që siç e dini, Presidenti Trump mendon se mund të gjenden.”

Në këtë fjalim të parë të rëndësishëm për aspekte të politikës së jashtme të administratës Trump, zoti Pence kërkoi të siguronte aleancën se SHBA-ja mbështet NATO-n, edhe ndërsa po kërkon mënyra të reja bashkëpunimi me Rusinë.

Nënpresidenti Pence tha se NATO duhet të dominojë në botën dixhitale ashtu si në atë fizike, në luftën kundër grupimeve si Shteti Islamik, për të cilin tha se është ndoshta e keqja më e madhe që ka dëftuar një egërsi të paparë që nga mesjeta.

Në konferencë mori pjesë edhe Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, i cili foli për dëshirën për marrëdhënie pragmatike me SHBA-në dhe për një rend të ri botëror “post perëndim”.

“Çfarë lloj marrëdhëniesh dëshirojmë me SHBA-në? Marrëdhënie pragmatike, respekt të ndërsjelltë dhe botëkuptim të përgjegjësisë sonë të veçantë për stabilitetin botëror. E vërteta është se vendet tona nuk kanë qenë kurrë në konflikt të drejpërdrejtë. Kemi shumë më tepër historie miqësie se histori ngërçi.”

Ndërsa në fjalën e saj, Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve të forcojnë organizmat shumëpalëshe, si BE-në, OKB-në dhe NATO-n, pasi veprimi i përbashkët i forcon të gjithë.

XS
SM
MD
LG