Lidhje

Trump zgjedh Mike Pence si kandidat për nën president


Mike Pence, është një politikan konservator i Partisë Republikane, me eksperiencë në Kongres, por që është kritikuar për politikat e tij të cilësuara si diskriminuese.

Pence udhëheq shtetin e Indianës që nga viti 2013 dhe është mbërthyer në një garë të ngushtë për rizgjedhjen e tij. Zyra e tij mbështet një shkurtim rekord të taksave, sidomos ndaj bizneseve, si dhe përpjekjet për një qeveri më të vogël.

Në fund të vitit të kaluar ai i urdhëroi agjencitë shtetërore të pezullonin fondet për grupe që ndihmonin refugjatët në Indiana, duke thënë se ato nuk do të lejoheshin para se qeveria të sigurohej se po zbatoheshin procedurat e duhura të sigurisë.

Ai ishte njëri prej disa udhëheqësve të shtetit të Indianës, të cilët u përpoqën të frenonin sistemimin e refugjatëve sirianë pas sulmeve terroriste në Paris. Një gjykatës federal e hodhi poshtë urdhërin e tij në mars, duke e quajtur diskriminues.

Mike Pence, po ashtu u kritikua nga grupe të të drejtave të homoseksualëve në vitin 2015, për një ligj shtetëror, për të cilin u tha se do t'i lejonte bizneset të shfrytëzonin besimin e tyre fetar kundër homoseksualitetit. Ky ligj do t'u mohonte disa shërbime homoseksualëve.

Por përveç pikëpamjeve të tij konservatore, si një buxhet më i vogël shtetëror dhe mbështetje për ushtrinë, Mike Pence është i kualifikuar në fushën e legjislacionit, që është e pëlqyeshme për të emëruarin republikan për president Donald Trump. Pence ka shërbyer për gjashtë mandate në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi u zgjodh për herë të parë në vitin 2000.

Gjatë kohës kur ishte në Capitol Hill, Mike Pence ishte mes ligjvënësve republikanë, të cilët u përpoqën për anulimin e reformave historike në sistemin e shëndetësisë të Presidentit Barack Obama. Ai po ashtu ka shërbyer si anëtar i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë procesit të zgjedhjeve partiake, Mike Pence fillimisht mbështeti kandidaturën e senatorit të Teksasit Ted Cruz, por ai vlerësoi njëkohësisht zotin Trump, duke thënë se biznesmeni "flet në emër të miliona punonjësve amerikanëve, të zhgënjyer nga mungesa e përparimit në Uashington, D.C."

Kur Donald Trump siguroi emërimin e Partisë në muajin maj, Mike Pence u zotua se do të zhvillonte fushatë për të.

Clinton: Pence, "përçarës dhe jopopullor"

Fushata e zonjës Clinton lëshoi një deklaratë ku e quan zotin Pence "zgjedhjen më ekstreme të një gjenerate", i njohur për përkrahjen e politikave ekonomike që "favorizon milionerët dhe korporata dhe jo familjet punëtore". Demokratët pretendojnë gjithashtu se Pence shihet si një figurë përçarëse në Indiana pasi ai nënshkroi vitin e kaluar Aktin për Rivendosjen e Lirive Fetare. Përkrahësit thonë se ai është hartuar të mbrojë lirinë fetare ndërsa kritikët e quajnë atë kundër të drejtave të homoseksualëve.

Shumica e analistëve e shohin zgjedhjen e zotit Pence si një përpjekje të qartë nga Trump për të bashkuar partinë republikane para konventës që fillon të hënën në Klivlend. “Pence mund të jetë zgjedhja më e mirë për Trumpin nën këto rrethana,” tha Larry Sabato, Drejtori i Qendrës së Politikave në Universitetin e Virxhinias. Sabato thotë se me emrat e tjerë në listë - Gingrich dhe Christie - Pence mund të forcojë disa nga pikat e dobëta të Trumpit me bazën e partisë.”

Por shumë ekspertë dyshojnë se Pence do të ketë sukses në rritjen e mbështetjes të votuesve jo-republikanë në zgjedhjet e përgjithshme. “Ai nuk është dikush që tërheq votuesit e pavarur apo demokratë. Ai është dikush që tërheq disa fraksione të partisë republikane që janë ende nervozë rreth Trumpit,” thotë analisti Justin Buchler.

Sabato dhe të tjerë theksojnë se historikisht zgjedhja e nënpresidentit duket se ka pak ndikim në rezultatin e zgjedhjeve. Historianët shpesh citojë vendimin e John Kennedy-it që shtoi rivalin Lyndon Johnson në zgjedhjet e vitit 1960 si herën e fundit që një kandidat për postin e nënpresidentit solli përfitime politike për partinë e tij. Johnson e ndihmoi Kennedy-n të fitonte në shtetin e tij të Teksasit në një garë të ngushtë me kandidatin republikan, Richard Nixon.

Si i shohin votuesit kandidatët Clinton dhe Trump në trajtimin e terrorizmit

Anketat e fundit të rrjetit CBS News dhe gazetës New York Times i tregojnë Clinton dhe Trump me pikë të barabarta - 46 përqind përsa i përket pyetjes se cili do të bënte një punë më të mirë në trajtimin e çështjes së sigurisë kombëtare dhe terrorizmit. Clinton kryesonte në të njëjtën kategori në disa anketa të kryera në fillim të muajit - 50 përqind përkundrejt Trumpit me 43 përqind.

Sondazhi i fundit nga universiteti Quinnipiac tregon se votuesit mendojnë se Trump do të jetë më i efektshëm sesa Clinton kundër Shtetit Islamik me një diferencë 52 ndaj 39 përqind. por kur votuesit u pyetën në të njëjtën anketë se cili do të bënte punë më të mirë për të trajtuar një krizë ndërkombëtare, ata preferuan zonjën Clinton ndaj zotitTrump me një diferencë 51 me 42 përqind.

Analistët theksojnë gjithashtu se shqetësimet rreth terrorizmit dhe sigurisë tentojnë të rriten pas sulmeve terroriste si ato të vitit të kaluar në Paris dhe San Bernardino të Kalifornisë.

XS
SM
MD
LG