Lidhje

Pensioni në Holandë


Holanda ka qenë prej kohësh një nga vendet më të mira për të kaluar moshën e pensionit, kryesisht për shkak të sistemit bujar të ndihmave sociale. Por ndërsa kujdesi për të moshuarit bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm, vendi po përpiqet të gjejë mënyra të reja për t’u kujdesur për qytetarët e vet me kosto më të ulët. Një nga qendrat e pensionistëve po teston një program të ri bazuar në ndarjen e shpenzimeve.

Në këtë azil të moshuarish në qytetin Gouda, mund të pranohesh nëse një mik apo i afërm bie dakort të marrë pjesë në kujdesin për pensionistët që jetojnë aty.

Henk Hom i kushton katër orë në muaj për të moshuarit: gatim, pastrim, dhe përpiqet ta bëjë jetën e tyre më të këndshme. Në këmbim të këtyre shërbimeve, i ati i tij ka një dhomë këtu.

"Nuk është punë e vërtetë. Vij të shoh tim atë në se ka nevojë për mua, kështu që ndihmoj. Kjo është normale.”

Por nuk është vetëm i jati që ai mezi pret ta shohë. Një pensioniste tjetër, zonja Lubbers, është gjithashtu e kënaqur kur e sheh.

“Më pëlqen që ai vjen dhe njihemi me njëri tjetrin. Ai bën çdo gjë, na ndihmon dhe është njeri shumë i mirë.”

Çdo banor në këtë shtëpi pensioni duhet të ketë dike që të ndihmojë në mënyrë që të marrë leje qëndrimi këtu. Shtëpia po vë në prove idenë e “shoqërisë pjesëmarrëse” të konceptuar nga kryeministri Mark Rutte për të lehtësuar barren e sistemit të mirëqënies sociale. Drejtoresha e qendrës Sylvia Oudenes thotë se deri tani sistemi po funksionon normalisht. Nga 18 familje që morën pjesë në program, vetëm një familje vendosi ta tërhiqte prindin nga qendra.

“Kritikat kryesore ishin se sistemi ka natyrë të detyrueshme. Ka një obligim moral dhe është vetëm katër orë në muaj. 60 përqind e njerëzve e bëjnë këtë për një të afërm, mik apo fqinj dhe bëjnë më shumë se katër orë që ne kërkojmë.”

Qendra nuk varet vetëm nga puna vullnetare. Rik Remmerswaal është infermjer profesionist.

“Vullnetarët bisedojnë me ta dhe dalin shëtitje. Ata nuk i lajnë apo veshin. Nuk i ndihmojnë të shkojnë në banjo, këtë e bëjmë ne. vullnetarët nuk u japin kujdes shëndetësor. Ata thjesht bëjnë gjërat e vogla për të cilat ne nuk kemi gjithmonë kohë.”

Deri në vitin 2050, më shumë se 25 përqind e popullësisë holandeze pritet të jetë mbi moshën 65 vjeçare. Shumë në Holandë thonë se ka ardhur koha për ta kthyer shoqërinë nga sistemi i mirëqënies në atë të ndarjes së barrës.

Një projektligj i paraqitur në parlament propozon që të moshuarit që janë të sëmurë kronikë ose të pamundur, t’u japin mësime private fëmijëve që janë prapa në shkollë.

Kritikët e kanë kundërshtuar këtë duke e quajtur obligim ndaj punës vullnetare, Henk Hom thotë se shumë të tjerë e shohin këtë si një detyrim moral.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG